Dita e djeshme për Ndërmarrjen e Ujësjellës Kanalizime Qarku Shkodër dhe për gjithë qytetin e Shkodrës ishte një ditë e vështirë.

Për afro 16 orë qyteti qëndroi pa ujë të pijshëm për shkak të një defekti elektrik në kabullin e OSHEE që furnizon me energji elektrike nënstacionin e pompave të UKQ në Dobraç.
Grupet tona të punës që në orët e para të mëngjesit ishin në gatishmëri të plotë në mbështetje të OSHEE për t’i asistuar dhe ndihmuar në gjetjen e defektit në linjën elektrike.

Vetëm në mbrëmje u bë e mundur lokalizimi i këtij defektit nga OSHEE pasi u erdhën në ndihmë mjete të specializuara nga drejtoria e përgjithshme e OSHEE në Tiranë.

Menjëherë grupet e punës të OSHEE dhe UKQ sh.a ndërhynë duke bërë të mundur riparimin e këtij defekti elektrik që la 16 orë pa ujë të pijshëm qytetin e Shkodrës.

Është emergjente tashmë që linja elektrike aktuale që furnizon me energji elektrike nënstacionin e pompave të zëvendësohet me një të re sepse janë bërë 23 vite që nga instalimi i saj. Ky kabull elektrik nëntokësor gjatë këtyre 23 viteve është amortizuar dhe ka pësuar goditje të shumta duke krijuar gjithnjë e më shumë probleme ndaj nevojitet zëvendësimi.

Po ashtu është po aq emergjente lidhja e një linje elektrike të dytë emergjence nga ana e OSHEE në mënyrë që në raste të tilla të defekteve, të ketë një linjë tjetër furnizimi me energji elektrike dhe qyteti të mos qëndrojë pa ujë të pijshëm.

Do jemi në një bashkëpunim të plotë me OSHEE për një zgjidhje të përbashkët të këtyre dy pikave të rëndësishme që lidhen me një të drejtë bazike të shkodranëve, sigurinë për furnizim me ujë të pijshëm në çdo kohë.

UKQ sh.a mirëkupton çdo shqetësim të drejtë të qytetarëve shkodran, bizneseve, familjeve dhe kujtdo tjetër për ndërprerjen e ujit të pijshëm në mënyrë të papritur dhe në një situatë të paprecendentë më përpara pas atij defektit elektrik që u shkaktua nga reshjet e shiut dhe rrufetë.

Sigurojmë se ashtu si mbrëmë, UKQ sh.a do vijojë te jetë e angazhuar maksimalisht me gjitha kapacitetet për t’i shërbyer në 24 orë qytetarëve.

Artikulli paraprakBARDHI: KUFIZIMI I LIRISË SË ISH-KRYEMINISTRIT, SHKELJE E RËNDË, DYSHIME TE SPAK
Artikulli tjetërBERISHA MERR NË MBROJTJE MALLTEZIN: NË BURG VETËM SE ËSHTË DHËNDRI IM