Shkodra renditet si qarku i tretë në Shqipëri sa i përket shpenzimeve kushtuar shëndetit. Madje sipas të dhënave zyrtare të INSTAT në vitin 2018, shqiptarët kanë rritur shpenzimet për shëndetin e tyre, gjë e cila na bën të kuptojmë se shpenzimet për sëmundjet janë një faktor tashmë edhe në strukturën e familjeve. Sipas të dhënave të INSTAT në 2018-ën
shpenzimet për shëndetin nga 3.9% janë rritur në 4.2%. Vendin e parë si qark në rang kombëtar e mban Fieri me 6% të shpenzimeve për shëndetin duke patur një rritje nga 2017-ta. Pas Fierit, edhe një qark i varfër renditet Kukësi me 5.2% dhe pas Kukësit vjen Shkodra e treta me 4.9%. Në Kukës ka një rritje me dyfish ndërsa rritje të shpenzimeve
për shëndetin ka edhe për qarkun e Shkodrës. Është ende e paqartë nëse kjo rritje për shëndetin nga njerëzit vjen si shkak i rritjes së sëmundshmërisë apo një ndërgjegjësimi më të madh të popullatës për të shkuar që në momentin e parë tek mjeku. Ekspertët mendojnë se më shumë ndikim ka rritja e sëmundshmërive sepse ende qytetarët shqiptar nuk janë aq të ndërgjegjësuar sa për t’ju drejtuar menjëherë spitaleve. Edhe në Qarkun e
Tiranës dhe Beratit, shpenzimet ndaj shëndetit janë regjistruar më të larta se mesatarja kombëtare. Në Tiranë shpenzimet ndaj shëndetit ishin 4.3% e totalit, të cilat shënuan gjithashtu rritje në raport me një vit më parë. Në anën tjetër shpenzimet më të ulëta ndaj shëndetit kanë qenë në qarkun e Elbasanit. Të ulëta janë edhe në qarkun e Korçës dhe
Durrësit, ku kishin të njëjtën peshë prej 3.5%. Me një diferencë të vogël edhe shpenzimet në Vlorë dhe Lezhë ishin sa 3.6% e totalit, ndjekur nga Dibra me një peshë prej 3.7%. Në qarkun e Gjirokastrës, ndonëse prej kohësh po përjeton plakjen e popullsisë me ritme të shpejta, shpenzimet ndaj shëndetit janë më të ulëta se mesatarja e vendit, të cilat ishin sa
3.9%. Anketa e Buxhetit të Familjes është një vrojtim statistikor që kryhet pranë njësive ekonomike familjare dhe jep një panoramë të situatës socio-ekonomike në Shqipëri. Anketa e Buxhetit të Familjes 2018 u krye nga INSTAT përgjatë gjithë vitit.