Kjo fundjavë e gjeti Shkodrën të zbukuruar me ngjyrat e Karnavaleve të cilat do të zhvillohen për tri ditë me radhë. Fëmijët e kopshteve dhe shkollave gjallëruan qytetin me maskat dhe veshjet shumëngjyrëshe. Për shkak të kushteve atmoferike, festimet u zhvendosën në teatrin “Migjeni” me shfaqjet e nxënësve të cilët përcollën mesazhe për jetën, mjedisin, bullizmin apo tema që prekin mbarë shoqërinë.
Karnavalet janë një traditë e hershme e Shkodrës që kremtohen prej më shumë se 160 vitesh thotë organizatori Gjon Stefa.
Stefa thotë se këtë vit bashkia Shkodër e cila është organizatorja e karnavaleve ka ndërhyrë në tekstet e bejtave duke mos i lënë një dorë të lirë në thumbimin tradicional të politikës, qeverisë apo edhe në drejtim të vetë bashkisë.
Karnavalet në qytetin e Shkodrës do të vijojnë për tri ditë me radhë ndërsa do të kulmojnë me djegien e dordolecit që simbolizon ndarjen e të mirës nga e keqja.