Çdo ditë e më tepër, Shkodra turistike prezantohet si një qytet pa hapësira publike.
Zgjerimi i qytetit, ndërtimet e reja, tregjet e improvizuara në çdo rrugë kryesore dhe dytësore janë disa nga arsyet pse qytetarëve u është mohuar lëvizja në trotuare.Në sheshin “Prekë Cali” të qytetit të Shkodrës situata është totalisht informale. Nga njëra anë tregjet e improvizuara të fruta-perimeve, ndërsa nga ana tjetër rrobat që shiten në trotuare, e kanë zhvendosur fluksin në rrugë.
Ecja në 2 anët e rrugës Pogej është thuajse e pamundur. Me rritjen e temperaturave, marketet e shumta ushqimore, dyqanet e shumëllojshme dhe bar-kafetë e kanë zhvendosur përfundimisht aktivitetin e tyre në trotuare. Përgjatë 500 metrave që nga sheshi Rus i Madh e deri në vendqëndrimin e furgonëve të Malësisë së Madhe, qytetarë të shumtë kalojnë përmes pajisjeve elektroshtëpiake, karrigeve të shumta dhe flamujve kombëtare. Por kjo nuk është zona e vetme.
Në Parrucë dhe përgjatë rrugës Hamz Kazazi situata është e njëjtë. Veshmbathje dhe produkte ushqimore shiten në rrugë. Përballë kësaj situate, Bashkia Shkodër vijon të heshtë, edhe pse pronarët e bizneseve kanë bllokuar qytetin. Pas zgjedhjeve vendore të 2015-ës, puna e parë e administratës së re ishte lirimi i hapësirave publike, por teksa po bëhen 2 vite nga aksionet, premtimi mesa duket është harruar.