Lumi Drin mbetet veç nostalgji për shkodranët. Deri para 7-8 viteve ai plazh është frekuentuar në masë nga qytetarët.

Pushues të shumtë zgjedhnin atë pjesë për të shmangur të nxehtin e madh gjatë stinës së verës. Në atë kohë bregu përgjatë asaj vije ujore ka qenë i përshtatshëm për të bërë plazh dhe numri i pushuesve ka qenë i lartë. Familjarë e të rinj, nën hijen e pemëve e freskinë e lumit Drin kalonin orë të këndshme. Sot situata është krejt ndryshe. Ndonëse temperaturat janë të larta në pjesën që ndodhet nën urën e “Bahçallekut” nuk gjen më asnjë pushues ditor. Tashmë duket qartë që shkodranët e kanë braktisur atë plazh për disa arsye. Fillimisht kudo përgjatë rrugës kryesore nuk ka asnjë segment dytësor që lidhet me bregun poshtë sepse janë zënë nga barishtet dhe sasia e bimësisë për të cilën nuk kujdeset askush. Rrugicat të cilat kanë ekzistuar vite më parë tashmë janë zaptuar jo vetëm nga individë të ndryshëm por edhe biznese duke mbyllur të gjitha shtigjet e mëparshme kur kalohej në këmbë. Edhe për makinat mungojnë rrugët që lidhen me plazhin. Kudo përgjatë bregut të lumit Drin ndodhen sasi të konsiderueshme mbeturinash por jo vetëm. Bregu i lumit në shumë pjesë është kthyer në një pellg me baltë që bashkë me ndotjen nuk ofrojnë asgjë për pushuesit. Nëse arrin të shkosh deri tek bregu poshtë urës, duhet të bësh kujdes sepse aty ka gjithçka, inerte apo papastërti që mund të dëmtojnë. Në të njëjtën kohë shtrati i lumit Drin në disa vende është zgjeruar tepër vitet e fundit e ndërsa në pjesë të tjera është ngushtuar ndjeshëm qoftë nga gërryerjet që bëhen aty e po ashtu edhe nga mungesa e rehabilitimit të atij lumi. Lumi Drin mbetet një zone e pa zhvilluar e cila në kushte të tjera do të ishte e frekuentar dhe i preferuar nga qytetarët e Shkodres ashtu si vite më parë. Përveç mospasjes së një zhvillimi dhe braktisjes totale, lumi Drin po dëmtohet masivisht dhe nëse institucionet nuk marrin masa shumë shpejt dëmet do të jenë të pariparueshme.

Artikulli paraprakKOMUNITETET FETARE UROJNË FITER BAJRAMIN
Artikulli tjetërFITER BAJRAMI, MYFTIU I SHKODRËS URON BESIMTARËT MUSLIMAN