Nuk kanë mjaftuar as lajmërimet e shumta për ‘Ditën Ndërkombëtare pa makina”, për t’i shtyrë shkodranët që t’i mbyllin automjetet e tyre të paktën për sot. Me qindra makina kanë qarkulluar në rrugët e Shkodrës ndryshe nga shumë qytete të tjera të botës, ku dita pa makina është respektuar në masë të madhe.
Në vend të biçekletave apo ecjes në këmbë qytetarët kanë preferuar sërish makinat duke mos arritur që të sensibilizohen. Shumë pak i janë përgjigjur ftesës së këtyre ditëve për të lëvizur pa mjete motorike. Shumë qytetar të Shkodrës kanë vendosur që të përdorin makinat për të kryer punët e tyre apo qoftë edhe për të bërë një shëtitje. Rrugët kryesore të qytetit dominoheshin nga trafiku i zakonshëm çka tregon se dita pa makina nuk e ka bërë efektin ashtu siç duhet. Ministria e mjedisit ka njoftuar të gjithë shqiptarët përmes mesazheve në celular që t’i bashkohen ditës ndërkombëtare për të lëvizur pa makinat e tyre por në Shkodër dhe shumë qytete të tjera ka qenë e pamundur që kjo ditë sensibilizuese të ketë ndikim të madh.
SHKODRANËT NUK NDËRGJEGJËSOHEN PËR “DITËN PA MAKINA”
Ashtu si çdo ditë edhe sot kalimtarët e thjeshtë nuk janë respektuar nga drejtuesit e mjeteve, pamje të cilën e kemi çdo ditë të pranishme. Arsyet mund të jenë të shumta, mbase dinamika e të jetuarit për dikë, mungesa e ndërgjegjësimit për dikë tjetër apo në ndonjë rast edhe mosmarrja e informacionit kanë bërë që rrugët në vend të biçikletave apo këmbësorëve të dominohen sërish nga makinat e shumta. Dita pa makina ka për qëllim kontributin e të gjithëve të paktën për një ditë duke qenë se mjetet motorike emetojnë lëndë të dëmshme për organizmin e njeriut dhe është si një përpjekje për të t’i ardhur në mbrojtje mjedisit. Të paktën në Shkodër kjo nuk është arritur që të realizohet siç duhet. Mbase vitet e ardhshme sensibilizimi dhe ndërgjegjësimi për shkodranët duhet të jetë edhe më i madh për ta kthyer në një kulturë dhe për të krijuar një mentalitet të ri ku qytetarët e Shkodrës t’i përgjigjen pozitivisht dhe në masë ditës pa makina.