Dy të rinj janë arrestuar nga policia e Lezhës, pasi dyshohet se nën kërcënimin e një mjeti preres thikë grabitën një shumë parash në një banese në Lezhë. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 13 nëntorit, ndërsa në prangat e policisë kanë rënë shtetasi Altin Margjeka, 21 vjeç dhe shtetasi me inicialet E.K, 17 vjeç, që të dy banues në fshatin Zejmen të Lezhës. Këta persona nën kërcënimin e mjetit prerës thikë, kanë grabitur në banesën e shtetasit me inicialet M. Ll, shumën 280 000 lekë të rinj.
Njëri prej grabitësve kishte lidhje miqësore me të zotin e shtëpisë dhe kishin shkuar si mysafyr aty, por pasi kanë qëndruar disa minuta brenda kanë nxjerrë thikën që mbanin me vete dhe e kanë kërcënuar, duke i marrë shumën e parave. Menjehërë pas ngjarjes shtetasi M.Ll ka denoncuar në polici rastin dhe efektivët u vunë menjëherë në lëvizje, duke bërë identifikimin e dy të rinjve e më pas prangosjen e tyre.
Operacioni policor i koduar “Benefit” u finalizua paraditen e 14 nëntorit dhe krahas arrestimit të dy personave, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit të arrestuar Altin Margjeka shërbimet e policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale shumën 50.000 lekë të rinj, një maskë, një orë dhe sende me vlerë që dyshohet se janë përfituar nga shuma e parave të grabitura në banesën e shtetasit M. Ll. Materialet në lidhje me rastin u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime mëtejshme, ku pritet të ngrihen veprat penale ndaj dy të rinjeve të arrestuar dhe pas 48 orësh nga ai moment do të dalin në gjykatë për t’u njohur me masen e sigurisë.
Rastet e vjedhjeve edhe në Lezhë janë kthyer në një shqetësim serioz, qoftë brenda qytetit por edhe në njësitë administrative ashtu siç edhe grabitjet. Fakti që shumë banesa qëndrojnë të boshatisura për shkak të emigrimit i ka dhënë mundësi hajdutëve që të veprojnë apo edhe në rastet kur banorët lëvizin nga shtëpitë e tyre për arsye të ndryshme.