
Numri i të vdekurve nga zjarri që shpërtheu më 16 mars në një klub nate në qytetin e Koçanit në Maqedoninë e Veriut ka shkuar në 60 , pasi një i plagosur rëndë ka ndërrur jetë ditën e sotme në një spital lituanez ku po trajtohej. Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Arben Taravari tha se pacienti po trajtohej me djegie të rënda në një spital në Lituani dhe se shëndeti i tij ishte përkeqësuar në mënyrë drastike ditëve të fundit.
Viktima ishte menaxheri i lokalit të natës ku ka rënë zjarri. Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se 79 të lënduar nga zjarri në Koçanit po trajtohen në spitalet jashtë vendit, katër prej tyre në gjendje të rëndë, ndërsa 15 të lënduar po trajtohen në spitalet e Shkupit.
Prokuroria e Maqedonisë së Veriut ka ngritur kallëzim penal kundër 34 personave që dyshohet se janë të përfshirë në funksionimin e klubit fatal, i cili funksiononte me leje të falsifikuar dhe nuk respektonte standardet e sigurisë.