Ambasadori i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, Uran Ferizi, nëpërmjet platformës X ka reaguar ndaj medias britanike “The Sun” në lidhje me artikullin e botuar mbrëmjen e 2 gushtit për trafikun e armëve drejt Anglisë dhe grupi që fshihet pas.
“Një titull konfuz nga The Sun. Lavdërime policisë shqiptare për udhëheqjen dhe menaxhimin e këtij operacioni me ndihmën e SPAK dhe NCA ( Agjencisë Kombëtare Britanike kundra Krimit)” shkruan ambasadori, Ferizi.
Madje i sugjeron gazetës ‘The Sun’ dhe një titull tjetër.
“Ja ku është një titull më i mirë. Policët trima shqiptarë sekuestrojnë armë të destinuara për gangsterët djallëzorë në Londër”, përfundon ai.
Një grup i strukturuar kriminal i trafikut të armëve nga Shqipëria në Mbretërinë e Bashkuar u shkatërrua përmes një operacioni të gjerë të SPAK, BKH dhe Policisë së Shtetit si dhe u sekuestrua një arsenal armësh që kishte destinacion vendin ishullor. Në pranga ranë Adulla Hoxhaj, 44 vjeç, drejtues i grupit, Bojken Turtulli, 21 vjeç dhe Rifat Avdiaj, 62 vjeç, të tre banues në Tiranë, ndërsa u shpallën në kërkim 3 të tjerë. Gjatë operacionit të koduar “Inkorporimi” që u mor më 1 gusht 2024 u kontrolluan 6 shtëpi, në Tiranë dhe Tropojë. Në banesën e të cilësuarit si kreu i grupit kriminal, Adulla Hoxhaj, u gjetën 24 pistoleta dhe 1 kallashnikov, qindra fishekë, lazera për montim në armët speciale që shërbejnë për qitje në distancë dhe pajisje optike. Po ashtu, u sekuestruan veshje kamuflazhi si ato të forcave speciale, 4 makina, 8 celularë, karta SIM, 2 laptopë dhe 2 thika.