Delegacioni që përfaqësoi Shqipërinë në Lojërat Olimpike “Paris 2024” ka mbërritur në Tiranë. Kreu i KOKSH, Fidel Ylli, sportistët medalistë Islam Dudaev dhe Chermen Valiev, si dhe trajnerët e tyre përkatës kanë zbritur nga avioni të buzëqeshur.

Kujtojmë se për herë të parë Shqipëria siguroi dy medaljet e para Olimpike, ato të bronzta në mundje me Valiev dhe Dudaev. Pas 52 vitesh nga pjesëmarrja e parë në Olimpiadë (Munich 1972), Shqipëria siguron medalje në ngjarjen e madhe sportive botërore.

Ecuria e Shqipërisë në Lojërat Olimpike “Paris 2024”

Më 10 gusht Chermen Valiev shkroi historinë në Paris 2024. Ai fitoi medaljen e parë për Shqipërinë në historinë e Lojërave Olimpike, duke mposhtur me rezultatin 6-2 në finalen për medaljen e bronztë Viktor Rassadin nga Taxhikistani, në stilin e lirë në mundje në peshën deri në 74 kg.

Një medalje e dytë iu ofrua Shqipërisë nga mundësi Islam Dudaev i cili mundi numrin një të botës në peshën 65 kg, Iszmail Muszukajev.

Veç dy sportistëve që i dhuruan medalje vendit tonë, pjesë e këtij eventi ishin edhe gjashtë sportistë të tjerë që nuk mundën të siguronin medalje. Manjola Konini në qitje, Luiza Gega dhe Franko Burraj në atletikë, Grisi Koxhaku e Kaltra Meça në not, si edhe rusi i tretë i natyralizuar si shqiptar, mundësi Zelimkhan Abakarov.

Fidel Ylli, kreu i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar foli pas mbërritjes së delegacionit kuqezi nga “Paris 2024”.

“Të nderuar pjesëmarrës, miq dhe të ftuar. Sot është një ditë e rëndësishme për sportin shqiptar. Shqipëria ka hyrë në listën e medaljeve olimpike, falë Dudaev dhe Valiev, që ngritën flamurin kuqezi në Paris, gjë që ne e kishim ëndërruar. Të gjithë bashkë u munduam, këtu falenderoi edhe Seit Prizrenin, kreun e Federatës së Mundjes.

Këta sportistë janë ambasadorët më të mirë të Shqiëprisë dhe ky është një mesazh për Kuvendin dhe qeverinë që të bëjnë më shumë. Synimi ynë ishte një medalje Olimpike dhe ia dolëm. Dua t’i falenderoj të gjithë për kontributin e tyre”, tha Fidel Ylli.

Artikulli paraprakDITA BOTËRORE E RINISË/ SPIROPALI MESAZH PËR MEDIAN: PASQYRONI MODELET E TË RINJVE TË DITUR, PUNËTORË, QYTETARË TË DENJË, NJERËZ TË VËRTETË!
Artikulli tjetërDEL NGA RRUGA MJETI I TONAZHIT TË RËNDË NË RUBIK, VDES 55 VJEÇARI, PO SHKONTE NË PUNË