Nuhiu njofton se Ministria për Punë të Brendshme nuk ka kryer punën si duhet dhe për këtë duhet të mbahet përgjegjësi.

Deklarata: “Unë si ministër kam insistuar që të formohet shtab operativ dhe në të ishin të kyçur persona nga të gjitha fushat e MPB-së. Për udhëheqës i shtabit ishte zgjedhur Mitko Çavkov. Mbrëmë nga momenti i eskalimit të situatës dhe deri në ora 22 udhëheqësi i shtabit operativ Mitko Çavkov nuk ishte i kapshëm për mua edhe pse e kërkova edhe përmes telefonit por edhe në shtabin operativ. Dua të potencoj se për fat të keq shihet qartë se në strukturat e MPB-së ndikimi politik ka rol të madh që është për çdo dënim.

Një pjesë e të punësuarve në MPB në vend që të respektojnë ligjet dhe t’i kryejnë detyrat e tyre kanë vepruar nën urdhrat e qendrave politike diçka që kërkon dënimin dhe sanksionim. Kontrolli i brendshëm pran MPB-së do të kërkojë përgjegjësi ndaj të gjithëve që nuk kanë vepruar në bazë të kompetencave përfshi edhe anëtarët dhe udhëheqësit e shtabit operativ. MPB-ja është institucion që duhet ta garantojë rendin publik dhe jo të jetë institucion nën ndikimin e strukturave politike. Duhet të potencoj se një pjesë e madhe e të punësuarve në MPB janë profesionistë dhe duhet t’ju falënderohem sepse me ndihmën e tyre situata u vu nën kontroll. Apelojmë deri tek Prokuroria Publike që në mënyrë aktive të kyçet dhe në afate sa më të shpejtë t’i zbardhim këto ngjarje. Dua të potencoj se jam i dëshpëruar se një pjesë e protestantëve nuk i lejuan ndihmën e parë që të hyj në kuvend dhe t’ju ofroj ndihmë të lënduarve, kjo është jo-njerëzore. Ndjej përgjegjësi morale, për këtë periudhë katër mujore aq sa jam në krye të MPB-së nuk arrita ta mënjanoj politikën nga struktura udhëheqëse në MPB. Për këtë arsye do të kërkoj tërheqjen time nga posti i ministrit të Brendshëm.

Artikulli paraprak“META ËSHTË I PASTËR”
Artikulli tjetërPARASHIKIMI I MOISIUT: META, ZGJEDHJA E GODITUR. DO JETË 10 VJET PRESIDENT