Partitë politike kanë nisur konsultimet mbi mënyrat e thirrjes së seancës së Kuvendit të Maqedonisë, të paktën për të zgjedhur kreun e Kuvendit dhe zhbllokimin e punës së institucionit ligjvënës.
Kryetari i Lidhjes Social-Demokrate, Zoran Zaev, ka takuar kryetarët e BDI-së, Ali Ahmeti dhe të Lëvizjes Besa, Bilall Kasami me të cilët ka biseduar lidhur me mundësinë për ngritjen e nismës që përmes firmave të kërkojnë thirrjen e mbledhjes së Kuvendit pasi këtë e refuzon kryesuesi i seancës konstituive, Trajko Valjanovski që ishte edhe kryetar i Kuvendit në përbërjen e deritanishme të Kuvendit. “Është duke u biseduar për mënyrën e veprimit të mëtutjeshëm dhe e lamë që partitë nënshkruese, apo ato që kanë dhënë 67 firmat të ulen dhe të shohim se si më tej. Më e rëndësishme është që të rrumbullakohet seanca konstituive dhe të zgjidhet kryetari i Kuvendit që të mundet pastaj të vihen në funksion edhe institucionet tjera”, ka deklaruar për Evropën e Lirë, Talat Xhaferi, deputet i Bashkimit Demokratik për Integrim. Nga BDI-ja edhe njëherë përsëritën qëndrimin se Presidenti i shtetit, Gjorge Ivanov duke t’i jep mandatin liderit social-demokrat, Zoran Zaev për formimin e qeverisë së re. Por, vizitat e tij të paralajmëruara jashtë shtetit, sipas partisë së Ahmetit, mund të jenë edhe të qëllimshme pasi në situata kur vendi ndodhet në krizë të rëndë, nuk është e lejueshme të presidenti të udhëtoj jashtë shtetit.
“Duke pasur parasysh papërgjegjësinë e tij, gjithçka është e mundur dhe e pritshme nga ana e tij. Është e qartë se në situata në të cilën ndodhet vendi, nuk është lejueshme edhe me kushtetutë që ai të udhëtojë jashtë vendit. Por, duke marrë parasysh veprimin e tij të deritanishëm, gjithçka është e pritshme”, thotë Xhaferi. Edhe nga LSDM-ja kanë konfirmuar nismën për mbledhjen e deputetëve për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, por pa sqaruar mënyrat por edhe si do të vepronin nëse nga partia e Gruevskit e pengojnë këtë ashtu siç kanë deklaruar në vazhdimësi. Pretendenti për kryeministër, Zoran Zaev, të premten e kaluar prezantoi programin qeveritar në selinë e partisë së tij në pamundësi që këtë ta bëjë në Kuvendin e bllokuar për shkak të mos-mandatimit nga ana e presidentit Gjorge Ivanov edhe pse ai ka arritur shumicën parlamentare me partitë politike shqiptare. Lidhur me ngërçin politik është prononcuar edhe ambasadori amerikan, Jess Baily. I pyetur nëse do të ketë nismë për një marrëveshje të re mes partive politike, diplomati amerikan tha se kriza duhet zgjidhur në kuadër të institucioneve, duke respektuar zgjedhjet e mbajtur, por edhe duke çuar para procesin sa i përket hetimit të aferës së përgjimeve.
“Kemi folur shumë herë për këtë….por ka një sistem që u vendos në muajin maj e më pas në korrik të vitit 2015 që duhej t’i jepte fund krizës politike duke u kthyer në Kuvend, duke përmbushur kushtet për zgjedhje të lira dhe të drejta, duke zgjidhur çështjen e ndjekjes së komunikimeve joligjore, për t’i zbardhur se si kishin ndodhur, por edhe çfarë nxorën në pah, si dhe të vazhdohet me zbatimin e reformave urgjente. Kjo mbetet thelbësore për atë se si duhet të vazhdohet më tej”. “Nëse i analizoni të gjitha këto elemente atëherë mund të zgjidhni krizën. Ne, mbetemi partnerë të Maqedonisë por prapë se prapë ju qytetarët dhe liderët e juaj jeni përgjegjës për funksionimin e institucioneve demokratike..ka tensione, përçarje, por përmes institucioneve mund të gjendet zgjidhje për to”, ka deklaruar ambasadori amerikan Jess Baily. Kriza qeveritare ndërkohë ka tensionuar edhe gjendjen e sigurisë. Tani dy javë nëpër rrugët e Shkupit, por edhe të qyteteve tjera po mbahen protesta në mbështetje edhe të VMRO-së në të cilat kundërshtohet platforma shqiptare si dhe synimi i partive të shumicës së re për avancimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe.