Një zjarr masiv përfshiu dhjetra hektarë pyje në njësinë administrativë Shllak në bashkinë Vau Dejës. Ndihmuar edhe nga era e fortë flakët e zjarrit u përhapën me shpejtësi duke djegur një sipërfaqe të konsiderueshme pyjesh në njësinë Shllak. Menjëherë pas rënies së zjarrit reparti zjarrëfikës i Vau Dejësit u nis drejt Shllakut duke luftuar për mbi tre orë me zjarrin dhe duke arritur që të neutralizojnë të gjitha vatrat me flakë. Një ndihmesë në shuarjen e zjarrit dhanë edhe banorët e zonës të cilët u mobilizuan që në momentet e para dhe deri sa mbërritën zjarrëfiksët duke i ndihmuar deri në orët e para të mëngjesit.

Vënia nën kontroll e vatrave të zjarrit nuk ishte e lehtë për shkak të terrenit të thyer malor dhe flakëve që përhapeshin me shpejtësi. Ajo që dyshohet është se zjarri në pyjet e njësisë Shllak është i qëllimshëm. Ende është e paqartë se kush mund të jenë autorët e kësaj zjarrvënie të qëllimshme e cila shkaktoi dëme të mëdha në mjedis. Ndërkohë pas normalizimit të situatës kryetari i bashkisë Vau Dejës Kristian Shkreli i bëri thirrje policisë vendore dhe prokurorisë që ta hetojnë këtë ngjarje për të vënë përpara përgjegjësisë autorët që shkaktuan këtë zjarr. Kryebashkiaku Shkreli thotë se askush nuk mund të cënojë mjedisin apo pronën e kësaj bashkie.

“Me shqetësim po ndjekim prej disa orësh situatën në njësinë administrative Shllak. Një zjarr masiv ka përfshirë dhjetra hektar pyje të kësaj njësie. Mirënjohës efektivëve zjarrëfikës dhe banorëve të zonës të cilët prej 3 orësh po përballen me flakët e zjarrit duke izoluar vatrat e krijuara. Apeli i drejtohet policisë së shtetit dhe prokurorisë që të hetojnë dhe të vënë para drejtësisë zjarrëvënësit. Askush nuk ka të drejtë të cënojë e as të rrezikojë pronën publike, private apo shtëpitë e banorëve atje”, u shpreh kryebashkiaku Shkreli.

Ky nuk është rasti i parë sepse edhe në të kaluarën ka patur zjarrëvënie të qëllimshme në njësinë administrative të Shkrelit por edhe njësi të tjera të Vau Dejësit apo edhe bashkive të qarkut Shkodër duke u kthyer në një shqetësim të përhershëm.

Artikulli paraprakVLLAZNIA NË FOKUSIN E “STAR SPORT”
Artikulli tjetërSINDIKATA E ARSTISTËVE NË SHKODËR PËR TEATRIN “MIGJENI”