Shoqërohet nga policia e Shkodres dhe më pas dhunohet nga kjo e fundit.Ky është pretendimi i familjarëve të 30 vjeçarit Bahri Malaj i shtruar me urgjencë në spitalin rajonal për shkak të goditjeve të marra. Ngjarja është shënuar rreth orës 23.00 të mbrëmjes së të premtes, 7 gusht 2015, në segmentin rrugor Postribë – Shkoder, në fshatin Hot i ri. 30- vjeçari Malaj i cili punon punëtor shkarkimi, ishte pasagjer në një automjet që po transportonte lëndë drusore.
Gjatë momentit të kthimit për në Shkodër ai është ndalur nga policia, e cila ka konstatuar se për materialin drusor nuk disponoheshin dokumentat përkatëse. Kjo e fundit ka kryer proçedurat duke bërë shoqërimin në komisariat të drejtuesit të automjetit, të 30 vjecarit dhe një shtetasi tjetër që ndodhej me ta. Por pas marrjes në pyetje, 30 vjecari sipas familjarëve është dhunuar nga efektivët e policisë në mjediset e pasme të komisariatit të Shkodres. Vëllai i të dëmtuarit thotë se i janë shkaktuar fraktura në trup e në kokë. aktualisht i riu ndodhet nën kujdesin e bluzave të bardha dhe është pikërisht personi që po shihni në pamje. Ndërkohë për ngjarjen në fjalë policia e Shkodres ka një tjeter version, duke deklaruar se 30 vjeçari nuk është dhunuar.