Shorti, Gjin Gjoni anëtar i Kolegjit Zgjedhor, i shpëton Vettingut
KLD ka përzgjedhur përmes shortit 8 gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor të Gjykatës së Apelit të Tiranës të cilët kanë të drejtën e shqyrtimit të pretendimeve nga partitë politike dhe kandidatët në lidhje me procesin zgjedhor. Mes 90 kandidatëve për Kolegjin Zgjedhor, pasi dy u përjashtuan për shkak të moshës afër pensionit, goglat zgjodhën Artur Malajn, Flamur Shkrelin, Ridvan Hadon, Shkëlqim Mustafën, Lindita Sinanajn, Gjin Gjonin, Astrit Kalanë dhe Sotiraq Lubonja. Përzgjedhja nga goglat është pritur me buzëqeshje nga Gjin Gjoni, i cili është përfaqësues i Gjykatave në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Të pranishëm në hedhjen e shortit kanë qenë edhe përfaqësuesit e partive politike, ndërsa ishte i hapur edhe për publikun. Mandati i 8 anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor është dy vite. Anëtarët e rinj që janë zgjedhur nuk kanë kaluar ligjin e Vettingut, që u miratua nga parlamenti pak muaj më parë, por që aktualisht ndodhet në Gjykatën Kushtetuese, e cila e pezulloi për shkak të ankesës së PD. Anëtarët e rinj kanë në dorë fatin e zgjedhjeve parlamentare të 18 Qershorit të vitit të ardhshëm, nëse do të ketë ankesa.