Rikthim në Beograd. Pas mbrëmjes së dronit, 14 tetor 2014, në eliminatoret e kombëtares kuqezi, asaj ndeshjeje të ndërprerë e që vazhdoi gjatë në komisionet përkatëse juridike të UEFA-s dhe CAS të Lozanës, është Skënderbeu që do të ndeshet me Partizanin e Beogradit.
Shorti i fazës së grupeve në Europa League, i hedhur sot në Nyon, e ka vendosur skuadrën korçare në të njëjtin grup me kryeytetasit e Serbisë. Më konkretisht, në Grupin B, Skënderbeu do të luajë me Partizanin e Beogradit, Dinamon e Kievit dhe Yong Boys të Zvicrës. Një grup pa emra të mëdhenj, si Milan, Arsenal apo të tjerë, që nuk ka dukshëm favoritë për të shkuar në raundin tjetër të këtij kompeticioni, që premton garë të hapur dhe rivalitet.
Shorti duket se ka favorizuar paksa Skënderbeun duke evituar ekipe me peshë në Europë, por që do të rezervojë një ndeshje në një prej stadiume më të vështirë për shqiptarët, në Beograd. Ashtu siç pritej shorti ka favorizuar kuqezinjtë e Milanit, të cilët duke qenë edhe në vazon e parë të Europa League ka rënë në grup me ekipe më të lehta në letër, përbërja e së cilës është Austria Vjenës, Rijeka dhe AEK.