Parlamenti grek sfidoi huadhënësit ndërkombëtarë, që kanë siguruar fondet e shpëtimit për Athinën, dhe votoi shpërblimin ndaj pensionistëve.
Planet për shpërblimin prej 617 milionë eurosh përpara Krishtlindjes u kundërshtuan nga organizmat europianë që negociojnë kuadrin financiar të shpëtimit për Greqinë. Një marrëveshje e rakorduar më herët gjatë këtij muaji për t’i dhënë këstin e radhës për lehtësimin e borxhit të Athinës tashmë është pezulluar. Megjithatë, kryeministri Alexis Tsipras tha se Greqia nuk do të shantazhohet. Athina tha se pagesat për pensionet do të bëheshin nga suficiti prej një miliard eurosh, por huadhënësit europianë thanë gjatë së enjtes se lëvizja e fundit e Parlamentit grek ngriti “shqetësime domethënëse për procesin dhe thelbin” në lidhje me detyrimet e vendit përballë shpëtimit nga falimenti. Në një deklaratë të përbashkët, përfaqësues nga Banka Qendrore Europiane, Komisioni Europian dhe Fondi Europian i Shpëtimit, thanë se tashmë ata do të vendosin nëse do të mbështesin apo jo vendimin e Eurogrupit për t’i dhënë Greqisë një lehtësim afatshkurtër të borxhit, vendim i ditëve të para të këtij muaji. Tsipras deklaroi se situata duhet zgjidhur “pa shantazhuar” Greqinë nga ana e kreditorëve.