Mbrëmjen e djeshme mjekët shqiptarë që shkuan në Itali festuan me birra dhe muzikë në dhomën e hotelit për mbylljen e misionit të tyre. Pronari i hotelit në Brescia telefonoi policinë dhe mjekët u gjobitën. Së fundmi pronari, i quajtur Luca Andriani, ka bërë një deklaratë ku shprehet se nuk është penduar për telefonatën, madje do e bënte sërish në një situatë të tillë.

“Portieri i natës më telefonoi në mesnatë dhe më tha që festa kishte vazhduar me orë të tëra, midis alkoolit dhe muzikës. Nga kjo kanë protestuar dhe klientët e dhomave të tjera. Askush nuk mbante maskë dhe shumë prej tyre ishin ulur në ballkon duke ulëritur, duke prishur qetësinë publike. Hoteli është dhe përballë spitalit, ç’ka e bën këtë çështje akoma dhe më serioze”, është shprehur pronari.

Po ashtu Andriani ka treguar se mjekët shqiptarë kanë shfaqur dhe më parë çrregullime në sjellje dhe ishin bërë problem në polici.

“Ishin 30 mjekë dhe infermierë, ishin akomoduar në hotelin tonë për një muaj dhe së paku dhjetë prej tyre kanë qenë gjithmonë shumë të vështirë për t’u menaxhuar.

Pavarësisht se iu është tërhequr shumë herë vëmendja nga stafi i hotelit apo dhe nga policia lokale, ato herë herë krijonin mbledhje në dhoma, në dhomën e pritjes, në ballkone dhe jashtë, ku mblidheshin për të pirë duhan. Ata nuk mbanin as maska dhe madje kanë lënë të vjella nëpër dhoma. Unë e kuptoj që të rinjtë kanë të drejtë të pushojnë, sidomos pas ditëve të tilla stresuese të punës, por pa e tejkaluar. Ne po flasim për 30-vjeçarë jo për të femije”, ka treguar ai.

Ai ka theksuar se policia lokale është përpjekur t’i bëjë të pështaten dhe t’iu binden rregullave duke iu shpjeguar rëndësinë e tyre për të frenuar përhapjen e infeksionit, por nuk ka funksionuar.

“Unë jam mirënjohës për mjekët dhe infermierët shqiptarë që erdhën të na ndihmojnë, por nëse në vend që të na ndihmojnë na ekspozojnë më shumë ndaj rreziqeve për shkak të sjelljes së tyre, atëherë prania e tyre bëhet e padobishme”, ka përfunduar Andriani.

Lidhur me këtë çështje, nga komentet e italianëve në rrjete sociale vihet re se publiku është i ndarë. Disa e besojnë historinë dhe kritikojnë mjekët ndërsa disa të tjerë akuzojnë pronarin e hotelit për rracizëm dhe nuk e besojnë sjelljen e mjekëve shqiptarë.

Burimi: “Repubblica.it”

Artikulli paraprakKTHJELLIME DHE VRANËSIRA GJATË GJITHË DITËS…MËSONI PARASHIKIMIN E MOTIT
Artikulli tjetër1 MAJI, SI LINDI HISTORIKU I FESTËS SË PUNËTORËVE