Një sasi tritoli ka shpërthyer në banesën e shtetasit Valter Serra në fshatin Bardhaj të njësisë Rrethina në Shkodër. Serra mësohet se është punonjës policie në policinë vendore të Shkodrës. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, rreth orës 02:00 të 30 dhjetorit. Mësohet se nga shpërthimi nuk ka persona të lënduar por vetëm dëme materiale. Janë ende të paqarta arsyet e vendosjes së tritolit por policia dyshon se ngjarja ka ndodhur për shkak të detyrës të policit Serra i cili është punonjës i patrullës i policisë por ka shërbyer edhe në zonën e Dukagjinit si specialist i policimit zonal.

Në këtë mënyrë dyshimet janë se për shkak të parcelave të drogës që mund të ketë raportuar efektivi Serra ka ardhur edhe një lloj hakmarrje ndaj tij duke i vendosur sasinë e tritolit si një mesazh kërcënues. Megjithatë kjo mbetet ende një prej pistave që ka policia ende e paprovuar. Efektivi Serra ka qenë i vetëm në banesë në momentin kur është vendosur sasia e tritolit. Dy persona dyshohet se kanë ardhur në këmbë të maskuar dhe kanë vendosur lëndën plasëse dhe më pas janë larguar. Në banesën ku ndodhi ngjarja nuk ka kamera sigurie ndërsa policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë në një objekt përballë por me shumë gjasa ajo kamer nuk ka fushëpamjen e duhur tek vendi ku ndodhi shpërthimi. Policia ka sekuestruar edhe kamerat në kryqëzime të ndryshme por deri më tani nuk është bërë ende identifikimi i autorëve.

Efektivi Valter Serra punon prej afro 3 vitesh në policinë vendore të Shkodrës si polic patrulle. Pas ngjarjes polici Serra ka deklaruar se nuk e ka idenë se përse është vendosur sasia e tritolit në banesën e tij. Serra është shprehur se nuk ka patur konflikte me persona të ndryshëm apo ndonjë kërcënim të mëparshëm. Efektivi i policisë tha se nuk e ka idenë se kush mund të jenë autorët e vendosjes së tritolit ndërsa ka kërkuar zbardhjen e plotë të ngjarjes. Ndërkohë policia dyshon se tritoli ndaj kolegut të tyre mund të jetë për shkak të detyrës duke e lidhur me punën e tij si polic zone në Dukagjin në një prej njësive atje.

Nga shpërthimi i tritolit është dëmtuar automjeti i policit tip Volkswagen si dhe janë shkaktuar dëme në banesë. Po ashtu edhe shtëpitë aty afër kanë pësuar dëme të lehta si dhe transformatori i energjisë elektrike që furnizon rreth 20 shtëpi duke i lënë për disa orë në errësirë derisa OSHEE ndërhyri për ta riparuar.

 

Artikulli paraprakBERISHA: VITI 2022 VITI I OPOZITËS! YURI KIM E PËRFSHIRË NË KORRUPSION MADHOR, MASHTROI QEVERINË DUKE THËNË SE UNË JAM I KORRUPTUAR
Artikulli tjetërISH- FUTBOLLISTËT: TË MOS PRISHET FUSHA STËRVITORE