Autoritetet turke kanë arritur që të identifikojnë kamikazin që shkaktoi shpërthimin e Ankarasë në të cilin humbën jetën 28 persona ndërkohë që 61 të tjerë mbetën të plagosur.

Fjala është për Saleh Nejar, i cili i përket etnisë kurde dhe kishte hyrë në Turqi nga Siria. Ai ishte anëtar i grupimit të njohur si Njësitë e Mbrojtjes së Popullit, e cila nga qeveria e Ankarasë konsiderohet si organizatë terroriste. Në këtë grupim bëjnë pjesë rebelë kurdë të cilët kërkojnë autonomi nga Turqia. Identifikimi i kamikazit u bë nëpërmjet shenjave të gishtërinjve, teksa raportohet se në pranga kanë përfunduar edhe nëntë persona të tjerë. Situata është tensionuar së tepërmi edhe në rajonin jug-lindor të vendit, ku militantët kurdë protestojnë për autonominë e rajonit. Vetëm pak orë pas shpërthimit të Ankarasë, një tjetër sulm goditi sërish një autokolonë ushtarake. Shifrat mbeten ende të paqarta, por në bazë të raportimeve ka dhjetëra të lënduar. Në shenjë kundërpërgjigje, qeveria e Turqisë ka nisur sulmet ajrore ndaj grupeve kurde të cilat kanë baza ushtarake në Siri dhe në Irak. Sipas njoftimeve zyrtare, bombardimet kanë patur si qëllim goditjen e 70 militantëve. Më herët, Presidenti i vendit Taip Erdogan, deklaroi se Ankaraja do të kërkojë hakmarrje për këdo që do të cënojë unitetin, sigurinë dhe të ardhmen e vendit.

Artikulli paraprakKOHA E KRESHMEVE, FAMULLIA E SHKODRËS NË KATEKEZAT E TË RINJVE
Artikulli tjetërNJOFTIM PËR SHTYP I DREJTORISË SË POLICISË SHKODËR