Pas shpërthimit në kanalin e Ibër-Lepencit të premten në mbrëmje, sot presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani si dhe ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe atë të BE-së. Në takimin me komandantin Barduani, presidentja Osmani ritheksoi se sulmi terrorist ndaj infrastrukturës vitale dëshmon qëllimet e Serbisë për destablizimin e Kosovës dhe gjithë rajonit, duke cenuar sigurinë kombëtare të vendit tonë si dhe duke synuar krijimin e një krize humanitare. Presidentja shprehu vlerësimin e lartë për të gjitha institucionet e Kosovës për menaxhimin e suksesshëm të situatës së krijuar e po ashtu falënderoi KFOR-in, i cili menjëherë ka ofruar të gjitha kapacitetet e tyre për të ndihmuar tejkalimin e kësaj gjendjeje si dhe parandalimin e sulmeve të ngjashme në të ardhmen.

Gjatë takimit, presidentja Osmani ka potencuar cenimin që i është bërë sigurisë kombëtare të Kosovës përmes sulmeve në infrastrukturën vitale. Në takim u diskutua për reagimin e institucioneve përgjegjëse karshi kësaj situate, me ç’rast si Presidentja Osmani, sikurse edhe ambasadorët kanë bërë vlerësimin më të lartë për menaxhimin dhe punën e bërë.

Në të njëjtën kohë, Presidentja Osmani theksoi sulmet sikurse ky i fundit synojnë jo vetëm destabilizimin e Kosovës, por paraqesin rrezik serioz për stabilitetin e gjithë rajonit. Osmani i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që ta dënojë këtë sulm dhe të qëndrojë e bashkuar kundër çdo përpjekjeje për të minuar paqen dhe sigurinë në Kosovë.

Artikulli paraprakKQZ VENDOSET MES ‘DY ZJARREVE’, PD: S’KEMI BESIM, ‘JO’ VOTIMIT ELEKTRONIK PA KONSENSUS!
Artikulli tjetërARRESTOHEN 8 PERSONA PAS SHPËRTHIMIT NË KOSOVË, KONFISKOHEN ARMË E MUNICIONE