Një ditë pas tërmetit 4.8 ballë që goditi Italinë, mediat vendase i japin jehonë një shqiptari që u kthye në heroin kurajoz të ditës.
Gazmed Hysenaj, nga Fieri, emigrant në Itali me profesion murator, shpëtoi dje fqinjët e tij të cilët kishin mbetur nën rrënojat e banesës të shembur nga tërmeti.
Në shkrimin e gazetës italiane La Republicca, thuhet se shqiptari ka mbërritur vetëm 1 vit më parë në Itali, por kjo se pengoi që në mes të natës, të vrapojë për të shpëtuar fqinjët pasi dëgjoi ulërimat e tyre.
“Qyteza Zafferana Etnea me fraksionin e saj Fleri, është një nga më të dëmtuara. Ndër rreth 9 mijë banorë që jetojnë në këtë komunë, 186 janë emigrantë shqiptarë.
E mes tyre është dhe shqiptari nga Fieri Gazmend Hysenaj, me profesionin murator. Janë heronjtë e rastësishëm të Flerit, qytezës më të goditur nga tërmeti. Në zemër të natës, të mbijetuar nga lëkundja e fortë sizmike, vrapuan të shpëtojnë fqinj, miq e familjarë.
Një prej tyre është shqiptari nga Fieri, Gazmend Hysenaj, i cili ka mbërritur në Itali vetëm një vit më parë, në kërkim të një të ardhme më të mirë për fëmijët e familjen e tij.
Gazmendi rrëfen se është zgjuar në mes të natës nga të qarat e fëmijëve të tij e ulërimat e komshiut.”-shkruan gazeta italiane.
Më tej është vetë protagonisti i historisë, shqiptari hero që rrëfen çastet e tmerrit.
“Janë momente që s’ mbarojnë kurrë. Mora gruan e tre fëmijët në krah e i nxora në rrugë me shpejtësi. Por fqinji vazhdonte të thërriste, “më shpëtoni, ndihmë, kam mbetur i bllokuar në gërmadha. Porta e banesës së tij ishte e bllokuar.
U mundova ta hap duke e shtyrë me trup por ishte e pamundur. Në atë moment një tjetër lëkundje tërmeti na trembi. Mora tulla e gurë të rrëzuar që gjeta përreth e fillova ta shkatërroj portën, munda të shpërthej e të ndihmoj fqinjin tim të dalë i gjallë nga gërmadhat e banesë”, -tregon Hysenaj.
Mes gërmadhave të tërmetit në Katania, takova burra e gra të kthyer në heronj të ditës në një natë frike, Një shqiptar, një bukëpjekës e shumë të tjerë kurajozë. Është Italia që reziston”,-thuhet në artikull.
Një tërmet i fuqishëm goditi dje Siçilinë dhe Katanian, në zonën e vullkanit më aktiv të Europës, Etna. Mbi 600 banorë ngelën pa shtëpi, 28 të tjerë u plagosën, ndërkohë që Etna vazhdon të jetë aktiv.