Themelimin e Fondit të Edukimit që do të mbushej me para nga gjyqet që do të fitonte ndaj shpifjeve të opozitës, Rama e njoftoi me jo pak bujë.

Por punën për t’i fituar këto para që më pas do t’i përdorë për çerdhe e shkolla, Rama e ka nisur intensivisht, por siç nuk e ka zakon, në heshtje. Gjatë muajit nëntor, Edi Rama ka depozituar 6 padi në Gjykatën e Tiranës kundër dy kundërshtarëve të tij politikë për shpifje.

Kryeministri ka paditur për shpifje 4 herë kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe dy herë të tjera liderin historik të PD-së, Sali Berishën. Të gjashta paditë, Edi Rama i ka bërë për “shkaktim dëmi”, edhe pse të dhënat zyrtare të gjykatës nuk japin më shumë informacion se për cilat raste specifikisht Rama ka dërguar në gjykatë drejtuesit më të lartë të demokratëve.

Sipas burimeve, në përmbajtjen e tyre Rama konsideron si shpifëse disa deklarata publike të bërë nga kryetari i Partisë Demokratike dhe nga ish-kryeministrit Sali Berisha.Po ashtu nuk dihet ende se sa para kërkon Edi Rama nga Basha e Berisha për këto 6 raste.

Por kryeministri nuk është i vetëm në përballjet gjyqësore për “shpifje” kundër anëtarëve të opozitës. Një tjetër padi e regjistruara gjatë Nëntorit kundër një deputeti demokrat mban emrin e kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Numri dy i socialistëve ka depozituar padi kundër demokratit Gent Strazimiri. Paditë në fjalë janë hedhur në short dhe regjistruar pranë Gjykatës së Tiranës, ndërsa në ditët në vijim pritet të nisë edhe shqyrtimi i tyre.

Artikulli paraprakPAS KLP, ZHBLLOKOHET EDHE KLGJ, ZAGANJORI MBLEDH GJYQTARËT PËR ZGJEDHJEN E 6 ANËTARËVE
Artikulli tjetërRINIS PROTESTA TE UNAZA E RE, NË MBËSHTETJE TË BANORËVE EDHE LULZIM BASHA