Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, është shprehur këtë të mërkurë se institucioni që ai drejton po studion mundësinë e aplikimit të një amnistie penale, e cila zakonisht ndodh gjatë festave të fundvitit. Teksa fliste për vendimet e kaluara sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, Manja u pyet për mundësinë e një amnistie. Ministri i Drejtësisë tregoi se bashkë me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve janë në fazë studimi dhe analizimi.

“Në fakt lidhur me amnistinë penale, është traditë, çdo fundviti qeveria merr iniciativë për të pasur amnisti penale. E fundit është bërë në vitin 2020. Ne si Ministri e Drejtësisë bashkë me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, jemi në një fazë të studimit të gjithë treguesve që kanë të bëjnë me amnistinë.

Në momentin që do të kemi një analizë do jua bëjmë me dije. Po punojmë për të pasur një amnisti penale. Por jemi në fazën e studimit dhe analizës”, u shpreh Ulsi Manja, ministër i Drejtësisë. Referuar drafteve të mëparshme të amnistisë penale, përfitojnë personat e dënuar me burgim deri në 2 vjet, personat e dënuar me kusht me gjobë apo personat, për të cilët gjykata ka caktuar një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi.

Artikulli paraprakMIQËSORJA ME ARABINË SAUDITE LUHET ME DYER TË MBYLLURA, FORMACIONI I SHQIPËRISË
Artikulli tjetërARABIA SAUDITE NË AVANTAZH NDAJ SHQIPËRISË NË PJESËN E PARË, VENDASIT REALIZOJNË ME PENALLTI