Shqipëria do të përballet në Euro 2024 me Italinë, Spanjën dhe Kroacinë në fazën e grupeve. Ish trajneri i kuqezinjve, De Biasi ka dhënë një intervistë për Kohën, ku e ka cilësuar grupin B si mjaft të vështirë. Pavarësisht shkallës së vështirësisë, De Biasi ka besim te paraqitjet pozitive.
“Mendoj se shorti është shumë i vështirë dhe grupi është shumë i fortë për Shqipërinë. Shqipëria ka ekip cilësor por mendoj se është e pamundur të krahasohet me Spanjën, Kroacinë dhe Italinë”.
“Megjithatë në kohën kur mbahet Evropiani, në qershor dhe korrik të vitit të ardhshëm, ndoshta Shqipëria mund të jetë më e freskët se ekipet e tjetra për shkak se vetëm Kristijan Asllani ka gjasa të luajë gjatë në Ligën e Kampionëve me skuadrën e Interit. Të tjerat përfaqësuese kanë më shumë lojtarë, siç është Spanja që në radhët e veta ka shumë futbollistë të Barcelonës dhe Realit të cilët do të kenë ngarkesa dhe do të shpenzojnë shumë energji deri në fund të edicionit. Nuk është aspak grup i lehtë për Shqipërinë, por duke pasur parasysh lodhjen dhe ngarkesat e lojtarëve të përfaqësueseve tjera me klubet e tyre, mendoj dhe shpresoj që Shqipëria do te jetë befasia e madhe e këtij grupi”, – tha ai.