Ndeshja me Portugalinë, e cila do të zhvillohet më 7 shtator në “Elbasan Arena”, përveç vlerës së pikëve për kualifikim në “Euro 2016”, do të ketë edhe funksion tjetër. Aty do të eksperimentohen për herë të parë biletat e personalizuara për çdo njeri që do të hyjë në stadium, duke o paraprirë kështu diçkaje të paralajmëruar për ndeshjen e tetorit, ndaj Serbisë.
Nëse ndaj kësaj të fundit do të merren masa ekstreme, për të parandaluar ndonjë incident, ndonjë “Beograd të dytë”, si 14 tetorin e kaluar, qoftë edhe si hakmarrje, ndaj luzitanëve do të shikohet si funksionon kjo mënyrë menaxhimi e ndeshjes. Pra, do të krijohet eksperienca e parë me biletat e personalizuara, me qëllim që ndaj serbëve të përsoset kjo metodë e identifikimit me biletën e tifozëve në stadium. Pra, edhe ndaj Portugalisë, çdo tifoz do të hyjë me dokument identifikimi në stadium. Më herët ata duhet të kenë blerë biletat po me dokument identifikimi. Kësisoji, çdo biletë do t’i korespondojë një personi konkret, të përveçëm, me emër e mbiemër, si dhe me numër karte identiteti. Nëse diçka josportive ndodh në vendin e tij përkatës në stadium, menjëherë është i identifikuar dhe merret nën akuzë.Nisur edhe nga incidenti i ndodhur në ndeshjen e Ligës së Europës, Kukësi-Legia e Varshavës, ku një tifoz i paidentifikuar goditi me një send të fortë në kokë futbollistin kundërshtar, çka u bë shkak për ndërprerjen e lojës he humbjen e ndeshjes 3-0 në tavolinë, FSHF-ja do t’i dalë të keqes përpara. Sidomos ndaj Serbisë, të gjithë duhet të jenë në këmbë, drejtues e zyrtarë të federatës, por edhe të policisë e ushtrisë, pse jo edhe shërbimet inteligjente. Sepse një incident i mundshëm mund të na dërgojë në komisionet disiplinore të UEFA-s, të cilat nuk kanë fort mëshirë për Shqipërinë. Përkundrazi, mezi po presin rastin të hakmerren për betejën e fituar në KAS ndaj Serbisë dhe vetë UEFA-s.