Në Shqipëri trajtimi i sëmundjeve cerebrovaskulare, ka marrë një vëmendje të veçantë për ekspertët, pasi ato përbëjnë ndër shkaqet kryesore të vdekjeve. Sipas njohësve të fushës, sot ka një debat mbi protokollet e ndjekura për trajtimin e sëmundjeve cerebrovaskualare në sistemin publik shëndetësor. Mungesa e shërbimeve bashkëkohore, përmes procedurave pa kirurgji, të cilat pak kohë më parë janë ofruar për disa vite, ngre mjaft pikëpyetje sipas ekspertëve. Disa mjekë me të cilët Zëri i Amerikës bisedoi, thanë se shkaku i ndërprerjes së tyre lidhet me mungesën e mjeteve të konsumit. Kjo ka bërë që këto procedura, të kryhen vetëm në sistemin privat shëndetësor, me kosto të larta për qytetarët.

Në Shqipëri debatet mbi mangësitë në shërbimin shëndetësor publik, morën një përmasë të re pas thirrjes publike për një ndihmë financiare prej 20 mijë eurosh nga familjarët e aktorit dhe regjisorit Genc Fuga, me qëllim që ai të kurohej në një spital privat në Tiranë pas një goditje ishemike në tru. Shpejtësia e ndërhyrjes për trajtimin e sëmundjeve cerebrovaskulare është kritike për t’i shpëtuar jetën pacientit. Zoti Fuga kishte nevojë për trombektomi. Ky shërbim është ofruar në sistemin publik për disa vite, por aktualisht është ndërprerë. Në strukturat shtetërore kjo sëmundje trajtohet me procedurën e trombolizës, për shkrirjen e trombeve, por që nuk ka të njëjtën shkallë suksesi, sipas ekspertëve të fushës. Numri i vdekjeve nga sëmundjet cerebrovaskulare, sipas Institutit të Matjeve Shëndetësore për Barrën e Sëmundjes, një agjeci prestigjoze amerikane, është dyfishuar, krahasuar me tre dekada më parë. Prirja e rritjes ka vijuar edhe në dhjetëvjeçarin e fundit, dhe për vitin 2019 nga ky institut vlerësohen afërsisht 5 mijë e 600 vdekje. Kësaj prirje i referohet edhe programi i Ministrisë së Shëndetësisë për parandalimin e sëmundjeve jo të transmetueshme. Megjithatë sipas të njëjtit institut, vdekshmëria e standardizuar për moshën në dekadën e fundit është në rënie (një tregues që shmang vdekjet e popullatës së moshuar dhe i referohet vetëm grupmoshës 30-69). Të dhënat për këtë grupmoshë konfirmohen edhe nga ISHP. Por një e dhënë tjetër e ISHP, që për ekspertët dëshmon një nga problemet më serioze të shëndetit publik lidhet me shtrimet në spital nga sëmundjet cerebrovaskulare. Ato që prej vitit 2015 janë rritur me afro 30% duke mbërritur në rreth 8 mijë raste në vit. Sipas tyre këto janë të dhëna të rëndësishme për vëmendjen që duhet të marrë trajtimi i sëmundjeve cerebrovaskulare në sistemin shëndetësor publik, pasi nuk janë raste të izoluara.

Sipas ekspertëve shërbimet e munguara, dhe ato që nuk ofrohen në kohë, në shërbimin spitalor publik kanë bërë që strukturat spitalore private në kryeqytet në dekadën e fundit të shtohen ndjeshëm në mënyrë jo normale, nga një në rreth 10 të tilla. Pavarësisht përmirësimeve sistemi publik shëndetësor në këto 30 vite ka ecur në një rrugë të vështirë, e të shoqëruar nga mjaft sëmundje, që sipas njohësve të fushës lidhen me investimet e pamjaftueshme, me mungesën e strategjive të duhura që shkojnë në një krah me shkencën dhe trajtimet bashkëkohore, me paaftësinë e elitave drejtuese të tij, korrupsionin apo në mjaft raste edhe me lidhjet klienteliste mes politikës dhe shërbimeve shëndetësore jopublike./ VOA

Artikulli paraprakOPERACION NDËRKOMBËTAR ANTIDROGË, GODITET GRUPI KRIMINAL NË KURBIN 6 TË ARRESTUAR, MES TYRE DHE TË HUAJ!
Artikulli tjetërSAMITI G20 NË INDI PËRJASHTON UKRAINËN DHE FTON RUSINË