Është nënshkruar marrëveshja midis Shqipërisë dhe Spanjës për krijimin e një grupi të përbashkët hetimi në fushën e luftës kundër krimit të organizuar ndërkombëtar duke përdorur instrumentet e inteligjencës policore dhe hetimit.
Nënshkrimi i marrëveshjes u bë nga ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi dhe ambasadori spanjoll Álvaro Renedo Zalba, gjatë vizitës në Tiranë të kryeministrit spanjoll Pedro Sánchez.
Marrëveshja mes dy vendeve adreson nevojën e një bashkëpunimi ndërkombëtar për të luftuar të gjitha format e krimit të organizuar, në veçanti organizatat kriminale që kanë si objekt trafikun e narkotikëve, trafikimin e qenieve njerëzore, pastrimin e të ardhurave të krijuara nga aktiviteti kriminal dhe terrorizmi.
Shqipëria dhe Spanja do të ngrenë grupe të përbashkëta hetimi në fushën e luftës kundër krimit të organizuar ndërkombëtar duke përdorur instrumentet e inteligjencës policore dhe hetimit që të dy vendet vlerësojnë të përshtatshme.
Spanja dhe Shqipëria kanë realizuar disa operacione të suksesshme për goditjen e grupeve kriminale në fushën e kultivimit të kanabisit. Një prej tyre ishte edhe operacioni “Dobra” që çoi në pranga mbi 100 persona, si dhe angazhoi mbi 400 oficerë policie në Spanjë, Shqipëri dhe Gjermani.