Në 8-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, Presidenti Nishani i është drejtuar me një urim qytetarëve shqiptarë për këtë ngjarje historike.

“Anëtarësimi në NATO është arritja më e madhe historike, dhe merita e suksesi u takon të gjithëve që kontribuuan e vazhdojnë të kontribuojnë me dinjitet”. Në mesazhin e tij, Nishani një urim të veçantë adreson për Forcat e Armatosura që kanë treguar gjatë gjithë këtyre viteve, madje duke numëruar madje edhe dëshmorë të rënë krah për krah me forcat aleate në luftën pakompromis kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Mesazhi i urimit

Në cilësinë e Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, kam privilegjin të përshëndes dhe të uroj përzemërsisht 8-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut! Tetë vite më parë, Shqipëria arriti të bëhej me meritë pjesë e Aleancës më të madhe politike-ushtarake që ka njohur njerëzimi, duke u shndërruar në saje të reformave të ndërmarra, edhe të mbështetjes së pakursyer të aleatëve tanë, veçanërisht të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga një vend konsumues të sigurisë, në një vend që jo vetëm prodhon siguri, por jep kontributin e vet të qenësishëm në ruajtjen, lartësimin dhe promovimin e vlerave dhe parimeve botërore të hapësirës së lirisë e demokracisë anembanë botës.

Një urim i veçantë u shkon Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe burrave e grave që shërbejnë në to për sakrificat dhe vetëmohimin që kanë treguar gjatë gjithë këtyre viteve, madje duke numëruar madje edhe dëshmorë të rënë krah për krah me forcat aleate në luftën pakompromis kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe ekstremizmit të dhunshëm. Në historinë e gjatë e të vështirë të popullit shqiptar, anëtarësimi në NATO është arritja më e madhe historike, dhe merita e suksesi u takon të gjithëve që kontribuuan e vazhdojnë të kontribuojnë me dinjitet, duke bërë që flamuri kuq e zi të valëvitet krenar në Bosnje dhe Hercegovinë, Irak, Afganistan kudo ku trupat paqeruajtëse dhe misionet e Aleancës shërbejnë me profesionalizëm e përkushtim. Si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, duke ju siguruar për mbështetjen time të palëkundur, jam bindur se ushtarakët tanë me cilësitë dhe profesionalizmin e tyre, e meritojnë plotësisht respektin dhe besimin e popullit tonë. Ju uroj suksese të mëtejshme në përmbushjen e misionit tuaj fisnik në shërbim të popullit shqiptar dhe përparimit të pakthyeshëm të Shqipërisë në rrugëtimin e integrimit të saj euro-atlantik!

Gëzuar përvjetorin e tetë të anëtarësimit tonë në NATO!

Artikulli paraprakPD DËNON SULMIN NË SHËN PETËRSBURG: TË ANGAZHUAR KUNDËR KËTIJ ARMIKU GLOBAL
Artikulli tjetërMBETJET, TËRTHORJA SQARON GJOBËN PËR ADEMIN