Shqipëria do të dërgojë trupa shtesë në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë. Shtimi i trupave të KFOR-it në Kosovë po ndodh pas sulmit terrorist serb, më 24 shtator në Banjskë, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku. Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, thekson se rreziku për ndonjë sulm tjetër nga Serbia mund të jetë permanent. Diplomati shqiptar thekson, se vitin tjetër do të dërgojë edhe 40 trupa shtesë në kuadër të KFOR-it. Ambasadori Malaj ka thënë se aktualisht numri i ushtarëve të Shqipërisë në kuadër të misionit të NATO-s, në Kosovë është mbi 100.
“Ne kemi një numër të caktuar të ushtarëve, në fakt kemi mbi 100 ushtarë në Pejë dhe në komandën e KFOR-it. Kam pasur takim me komandantin e KFOR-it dhe Shqipëria gjithmonë i ka qëndruar mendimit që KFOR-i duhet të forcojë praninë e tij dhe të jetë i pranishëm kudo në Kosovë për të realizuar misionin e tij që ka për siguri dhe të paqes për të gjithë qytetarët në Kosovë. Kështu Shqipëria edhe në vitin tjetër do të sjellë trupa shtesë në kuadër të KFOR-it për të qenë gjithmonë brenda detyrimeve të saj që ka si një shtet anëtar i NATO-s dhe aleat i fuqishëm i perëndimit. Ne në vitin tjetër do të sjellim edhe 40 forca”, deklaron Malaj për Kosovapress.
Krerët shtetëror kosovarë vlerësojnë rrezikun që vjen nga Serbia për paqen dhe sigurinë në vend dhe rajon. Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ditë më parë në takimin e samitit të BE-së me Ballkanin Perëndimor ka informuar liderët evropianë, siç ka thënë ajo, mbi rrezikun që vjen nga Serbia për paqen dhe sigurinë në vend dhe rajon.