Shqipëria do të ketë së shpejti një ligj të sigurisë publike, i cili do të garantojë më shumë siguri për jetën, pronën dhe qytetarët. Një ligj i hartuar nga Ministria e Brendshme dhe që i është shpërndarë organeve të tjera për të dhënë mendime, së shpejti pritet t’i kalojë komisioneve parlamentare për shqyrtim.
Nxjerrja e këtij ligji do të detyrojë të gjithë bizneset, të cilat kanë të ardhura më shumë se 10 milionë lekë në vit, autobusët, taksitë, lokalet që kanë hapësirë për më shumë se 50 klientë, kopshte fëmijësh, park lodrash e shumë mjedise të tjera, të jenë të gjitha të pajisura me kamera sigurie. Bizneset, të cilat janë grabitur njëherë më parë dhe që sipas analizave policore mund të jenë objekt sulmi i grabitësve, do të detyrohen edhe ato të kenë masa shtesë të sigurisë. Jashtë këtij ligji nuk do jenë as banesat dhe sidomos ato që kanë depozita uji apo banorë të pallatit persona me precedentë kriminalë. Në nenin 8 të këtij ligji thuhet se, “Administratorët e ndërtesave të banimit, marrin masa shtesë sigurie, duke bashkëpunuar me Policinë e Shtetit, nisur nga vlerësimi i rrezikut që konstatohet në urbanistikën e pallatit, parkimet, depozitat e ujit, personat me precedentë kriminalë banorë apo qiramarrës”. Të gjitha filmimet e ruajtura nga kamerat e sigurisë me ligj janë të detyruara t’i jepen policisë sa herë që ajo do t’i kërkojë, por në përputhje edhe me ligjin për të dhënat personale. Policia do t’i japë të gjithëve gjashtë muaj kohë për të marrë masat e sigurisë pas daljes së këtij ligji, dhe në mos respektim të tij do të vendosë gjobat përkatëse të parashikuara edhe ato në një nen të veçantë.