Presidenti i Republikës Ilir Meta, në një reagim në rrjetin social Facebook shprehet se Fondacioni Europian i burimeve njerëzore të kualifikuara e rendit Shqipërinë si vendin e fundit në Europë për numrin e mjekëve për banorë, duke shtuar se ky është një tregues dramatik për vendin.

“Largimi i mjekëve dhe i infermierëve duhet të ndalet dhe do të ndalet vetëm kur të çmontohet kapja e sistemit nga pak duar oligarkësh të cilët po mbajnë peng shëndetin e popullit, por edhe karrierën dhe të ardhmen e profesionistëve të shëndetit.”, është shprehur presidenti Meta.

Reagimi i Plotë:

Fondacioni Europian i burimeve njerëzore të kualifikuara e rendit Shqipërinë si vendin e fundit në Europë për numrin e mjekëve për banorë. Një tregues dramatik dhe alarmant i përkeqësimit të shërbimeve, por edhe të gjendjes shëndetësore të popullatës. Kjo është pasoja e dëmeve të pallogaritshme që prodhoi mjekësia koncensionare, korruptive dhe e trajtimeve fiktive, që u mbylli shtigjet e karrierës dhe të profesionit mijëra të rinjve mjekë dhe infermierë, që u detyruan të braktisin Shqipërinë për të shërbyer në klinikat dhe spitalet e Gjermanisë dhe Europës. Ndaj renditemi ndër të parët në kontinent për numrin e lartë të vdekjeve nga pandemia COVID-19 në raport me popullsinë, për shkak të mangësive alarmante në personel të kualifikuar dhe pajisje shëndetësore, që ndikuan në strategjinë e gabuar që u ndoq në zbulimin, parandalim dhe mjekimin e duhur. Nuk ka sesi të mos renditemi të parët edhe për frekuencën e shfaqjeve të sëmundjeve sistemike dhe kronike, kur një mjek paguhet 20 herë më pak se një tellall i Qeverisë që del çdo natë në banaqet televizive dhe paguhet si drejtor marketingu në spital. Largimi i mjekëve dhe i infermierëve duhet të ndalet dhe do të ndalet vetëm kur të çmontohet kapja e sistemit nga pak duar oligarkësh të cilët po mbajnë peng shëndetin e popullit, por edhe karrierën dhe të ardhmen e profesionistëve të shëndetit. Koha për të ndalur këtë shkretim të programuar nga “Rilindja”!

Artikulli paraprakSITUATA EPIDEMIOLOGJIKE NË VEND, MSH: ASNJË HUMBJE JETE NË 24 ORË, JA SA RASTE TË REJA IDENTIFIKOHEN SOT
Artikulli tjetër“URDHRI I PRESIDENTIT ËSHTË KRYER”/ ZËVENDËSKRYEMINISTRJA E UKRAINËS JEP LAJMIN