15 tetori do të shënjojë një hap historik për vendin tonë sa i takon rrugëtimit në Bashkimin Europian. Nesër, Shqipëria do të hapë negociatat me BE për grup kapitullin e parë. Në takimin që do mbahet në Luksemburg do jetë i pranishëm edhe vetë kreu i qeverisë Edi Rama, bashkë me ekipin që do përfaqësojë Shqipërinë. Nga nesër, nis shqyrtimi i grup kapitullit të parë, një ndër më të rëndësishmit, pasi prek fusha thelbësore, siç janë drejtësia, gjyqësori, funksionimi i institucioneve demokratike, prokurimi publik apo reforma e administratës publike. Grup kapitulli i parë, ose siç quhet ndryshe ‘bazat’ ose ‘themeloret’, përfshin edhe prokurimet publike, statistikat dhe kontrollin financiar.
Ky grup kapitull hapet i pari dhe mbyllet në fund të procesit të integrimit. Progresi në këtë grup do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave. Ndërkohë, dita e nesërme shënon edhe mbajtjen e konferencës së dytë ndërqeveritare BE-Shqipëri.
Shqipëria aplikoi për anëtarësim në BE në prill 2009 dhe iu dha statusi kandidatit për në BE në qershor 2014. BE mbajti konferencën e parë ndërqeveritare me Shqipërinë në korrik 2022.