Administrata publike ka hapur rreth 1714 vende të reja vakante për të gjithë të rinjtë që duan të bëjnë praktikë pune 3 mujore në 15 institucione shtetërore dhe 110 institucione varësie. Urdhri i Ministres së Shtetit për Rininë i botuar në Fletoren Zyrtare , shpall “thirrjen e tetë”, në kuadër të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës , pjesë e së cilës janë edhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, shoqëritë tregtare dhe organizatave jofitimprurëse. Procesi i rekrutimit do të kryhet pas aktivizimit i platformës online për aplikim: https://praktika.riniafemijet.gov.al.
Shpallja e thirrjes i dërgohet institucioneve, të cilat kanë për detyrim ta publikojnë në faqet e tyre zyrtare dhe mediat sociale. Procesi i aplikimit fillon në datën 1 qershor 2023 dhe përfundon në 30 qershor 2023. Por cilat janë kriteret e aplikimit?
Aplikantët duhet të jenë nga mosha 21-26 vjeç; Duhet të jenë minimalisht të diplomuar në programet e studimit të ciklit të parë “Bachelor”, deri në datën 1 shtator 2023; nuk duhet të kenë qenë pjesë e programit në thirrjet e mëparshme, pasi qëllimi i tij është ofrimi i një përvoje kualifikuese, që ndikon në zhvillimin e aftësive profesionale e të shprehive të tyre praktike, në njohje me sistemin administrativ publik, shoqëritë tregtare dhe organizatat jofitimprurëse. Programi Kombëtar i Praktikës së Punës, thirrja e tetë, do të zgjasë 3 muaj dhe fillon më 1 Shtator deri më 1 Dhjetor 2023.
Praktikanti do të kryejë praktikën e punës pranë institucionit ku është pranuar, çdo ditë, nga e hëna deri të premten, orar zyrtar dhe që të certifikohet për përfundimin me sukses të programit, duhet të ketë marrë pjesë minimalisht në 80 % të periudhës së zhvillimit të programit. Një ditë më parë, INSTAT njoftoi hapjen e 7 mijë vendeve vakante të punës për realizimin e Censusit të popullsisë, çka bën që në total përgjatë kësaj periudhe vetëm nga këto dy programe të jenë rreth 10 mije vende të lira pune.
Për të kryer aplikimin në kuadër të aktivitetit të Censit të Popullsisë dhe Banesave 2023, ndiqni linkun: http://rekrutimecensi.instat.gov.al/shpalljet
Për të parë hap pas hapi sesi kryhet aplikimi, referojuni manualit në linkun: https://www.instat.gov.al/media/11566/manual-aplikimi-cens.pdf
Scan