Shqipëria ka humbur me një gol diferencë në ndeshjen miqësore përballë Austrisë, në stadiumin “Ernst Happel” të Vjenës.
Kanë qenë të zotët e shtëpisë të cilët kanë kaluar të parët në avantazh, me një gol të Marc Janko, në minutën e ‘6, që përfitoi nga një mosmarrëveshje e mbrojtësve kuqezinj. Shtatë minuta më vonë ka ardhur dhe dyfishimi i rezultatit, që këtë herë mban firmën e Harnik. Në fillim të pjesës së dytë, shqiptarët kanë kaluar në ofensivë dhe përpjekjet e tyre janë kurorëzuar në minutën e ’47. Goditja e Ermir Lenjanit brenda zonës ka qenë e pamundur të pritej nga mbrojtësi i portës austriake. Vendasit janë përpjekur sërish të thellojnë avantazhin, por mbrojtja e drejtuar nga kapiteni Cana është treguar në lartësinë e duhur. Në minutën e ’78, Shqipëria është ndëshkuar nga kartoni i dytë i verdhë për Ergys Kaçen, që është detyruar të lërë fushën e lojës. Pjesa e mbetur e ndeshjes, që ka parë edhe mbrojtjen kuqezi të avancojë përpara, ka vijuar me rezultat të pandryshuar, kjo edhe falë portierit Etrit Berisha që në sekondat e fundit ka penguar realizimin e golit të tretë për austriakët. Takimi i ardhshëm me kombëtaren do të jetë më 29 mars, përballë Luksemburgut.