Shqipëria ka humbur 1-2 përballë Austrisë në ndeshjen miqësore që u zhvillua në Vjenë.
Në këtë test për kuqezinjtë teksa kampionati europian po afrohet skuadra e De Biazit është paraqitur me dy tablo. Në pjesën e parë kombëtarja kuqezi ka zhvilluar një lojë të dobët dhe me shumë gabime në fazën mbrojtëse. De Biasi luajti me rreshtimin 4-5-1, ku spikasnin, Kaçe e Lila titullar si dhe Mavraj, që rikthehej pas plot një viti me Kombëtaren pas një mungese të gjatë. Austriakët hapën disa herë në qendër mbrojtjen tonë përpara se të shënonin në minutën e 6-të me Jankon, që shfrytëzoi një gabim në vendosje në mbrojtje. Goli nuk uli ritmin e austriakëve që në 9’ rrezikuan sërish me Jankon. Në minutën e 13’ erdhi edhe goli I dytë për Austrinë. Një top i gjatë i portierit Almer, shërbeu si asist për Harnik pas një gabimi të Mavrajt, që nuk vuri re lojtarin vendas duke e lënë këtë të fundit të vraponte i vetëm drejt portës për golin e 2-0. Në disavantazhin 0-2 Shqipëria u gjend përpara një situate që duhet të tregonte se si do të sillej nëse do t’i ndodhte dicka e ngjashme dhe në Europian dhe kuqezinjtë u përpoqën të ndryshonin ritmin me Austrinë që u tërhoq paksa. Në të 22-tën Balaj provoi me kokë por Almer priti, ndërsa 2 minuta më pas Lenjani lëshoi një goditje të fortë por jashtë kuadratit. Pjesa e dytë nisi me ndryshime te Shqipëria, me De Biasin që hodhi në fushë Roshin e Cikalleshin për Lilën e Balajn. Lëvizje që dha efekte pasi pas vetëm 2 minutash Cikalleshi shërbeu për Lenjanin, që shkurtoi diferencën me një goditje spektakolare. Gjithsesi problemet në mbrotjen tonë u bënë të dukshme në të 57-tën kur Arnautovic shfrytëzoi një tjetër hapje duke lënë në qendër për Jonuzoviç që nuk devijoi dot për në rrjetë. Me fat ishte dhe Austria pak sekonda më pas kur Cana i vetëm përballë Almer nuk zgjodhi kohën e duhur për të goditur nga dy hapa. Në 70’, Roshi mori sërish mirë krahun por askush nuk mundi të devijojë në qendër. Shqipëria vazhdoi të luante mirë, por pa arritur dot tek finalizimi për ta barazuar takimin. Pas ndeshjes trajneri Gianni De Biasi nuk e fshehu zhgënjimin për paraqitjen e Kombëtares në Vjenë, mbi të gjitha në 30 minutat e para të miqësores me Austrinë. Trajneri i cilësoi të dhuruar dy golat e pësuar nga Kombëtarja, duke theksuar se Shqipëria u kthye në rrezikun e vetëvetes dhe se në europian nuk duhet të luaj kaq e shpërqendruar.