Ndonëse po plaket, Shqipëria vijon të jetë një nga popullsitë me moshë më të re në Europë.
Sipas Eurostat mosha mediane (që ndan popullsinë në dy pjesë të barabarta, një me moshat nën moshën mediane dhe tjetra mbi moshën mediane) ishte 37.6 vjeç në vitin 2021, nga 35.2 vjeç vitin e mëparshëm. Mosha mediane e Shqipërisë është shumë më e ulët se mesatarja e Bashkimit Europian prej 44.1 vjeç.
Shqipëria ka popullsinë e katërt më e re në Europë, pas Kosovës (30.5 vjeç- viti 2020), Turqisë (32.8) dhe Islandës (36.7).
Në rajon, popullsia me moshën më të vjetër është në Serbi (44 vjeç), ndërsa dhe shtetet e tjera si Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut po i afrohen kufirit të 40 vjeç.
Sipas Eurostat, në vitin 2021, mosha mesatare e BE-së ishte 44.1 vjeç, nga 43.9 në 2020. Shumica e rajoneve të kryeqytetit në BE kishin popullsi relativisht të reja, megjithëse, rajoni francez i Mayotte kishte, deri tani, moshën mesatare më të ulët (17.7 vjeç). e ndjekur nga Guyane (26.3 vjet).
Në Europë, shteti më i plakur është Italia (47.6), i ndjekur nga Gjermania (45.9), Portugalia (45.8), Greqia (45.5), Bullgaria (45), Spanja (44.7).
Mosha mediane e grave arrin 39.1 vjeç, e burrave 37.3
Mosha mediane e popullsisë në vendin tonë po rritet me ritme te shpejta nga viti në vit duke sinjalizuar plakjen e popullsisë. Përgjatë një viti mosha e mediane për të dy gjinitë gati u rrit me një vit, ndërsa në 10 vitet e fundit për gratë u rrit me 4.6 vite dhe për burrat me 5.5 vite.
Mosha mediane për popullsinë gjithsej arriti në 38.2 vite me një janar 2022, në raport me 37.6 vite më 2021. Në gjithë dekadën e fundit, popullsia e vendit u moshua me 5 vite.
Për shkak se jetojnë më gjatë, mosha mediane e grave në Shqipëri është më e lartë se burrave.
Në vitin 2022, mosha mediane e grave shqiptare arriti 39,1 vjet (mosha mediane nënkupton që 50% të grave janë nën këtë moshë dhe 50% mbi këtë moshë), duke u rritur me gati 11 muaj për një vit raportoi INSTAT.
Ndërsa mosha mediane e burrave arriti në 37,3 vjet ose 2.3 vite më e ulët se grave. Mosha e mediane e meshkujve në Shqipëri si kudo në botë është më e ulët se e femrave për shkak se kanë jetëgjatësi më të ulët se paku më 5 vite./monitor/