Shqipëria mori një barazim historik 0-0 në Kopenhagen ndaj Danimarkës, një rezultat ky që i siguron kuqezinjve tanë të paktën “play off”-in për Euro 2016. Pavarësisht se vuajtën në 45 minutëshin e dytë, falë disa ndërhyrjeve vendimtare të Berishës, Canës, Ajetit dhe Agollit kuqezinjtë e drejtuar nga De Biasi ia dolën të mbeten skuadra e vetme e grupit I që nuk ka pësuar asnjë humbje deri tani. Pjesa e parë ishte e ekuilibruar, ku të dyja skuadrat luajtën më shumë në mesfushë.

Danezet u munduan të ushtronin presion, por pa arritur të kërcënonin rrezikshëm portën tonë, kjo dhe falë mbrojtjes tonë. Kuqezinjtë u munduan të mos linin shumë hapësira ndërkohë që tentuan dy herë me kundërsulm të vinin në vështirësi portierin danez. Në të parin gjuajtja e Cikalleshit u devijua nga Schmeichel, ndërsa në të dytin Lenjani u nxitua duke e dërguar topin jashtë. Në pjesën e dytë danezet u bënë më agresivë duke mbajtur kuqezinjtë të ngujuar për shumë minuta në gjysmëfushën e tyre. Agresiviteti i tyre solli dhe disa gabime te njëpasnjëshme të mbrojtësve tanë, por portieri Berisha u tregua vendimtar duke mos i dhënë kënaqësinë lojtarëve dhe tifozëve daneze t’i gëzoheshin golit. Ndërkohë që presioni sa vinte dhe shtohej në portën tonë, Roshi, pas një kundërsulmi në fund të ndeshjes, humbi mundësinë më të mirë për ta çuar kombëtaren kuqezi në Euro 2016. Shpejtësia e tij bëri që të dalë i vetëm me portierin danez, por ndoshta futbollisti fierak ra pre e emocioneve duke mos e dërguar  topin në rrjetë. Kuqezinjtë kanë edhe 3 ndeshje për të luajtur dhe mbajnë vendin e tretë me 11 pikë, po aq sa Danimarka e vendit të dytë, e cila ka edhe 2 ndeshje deri në përfundimin e këtyre eliminatoreve. Kjo do të thotë që Shqipëria e De Biasi-t ka mundësi që të luftojë për vendin e dytë dhe të kualifikohet direkt në Francë 2016. Më 7 shtator, ditën e hënë, Kombëtarja kuqezi do të luajë në “Elbasan Arena”, ndaj Portugalisë.

Artikulli paraprakGARA E TRIATHLON PO KTHEHET NË TRADITË NË SHKODËR
Artikulli tjetërLIDERI SERB KARAXHIÇ OPEROHET NË HOLANDË