Depresioni është një gjendje komplekse mendore dhe emocionale, e lidhur zakonisht me të qenët i trishtuar, humor të keq që ndikon negativisht tek produktiviteti mendor dhe lëvizjet.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, përqindja e popullsisë globale me depresion vlerësohet të jetë 4.4%. Ky proporcion ndryshon sipas gjinisë dhe moshës.
Anketa e përbashkët e INSTAT dhe ISHP-së më 2018 gjeti se 60-70 për qind e të anketuarve gra dhe 57% e burrave pohuan se kanë kaluar një përvojë depresioni gjatë dy javëve para studimit. Nga këto 13% e grave dhe 18 meshkujve të moshës 15-59 vjeç ishin shumë depresiv në këto javë.
Në përgjithësi, prevalenca e depresionit ka tendencë të jetë më e lartë në mesin e grave në moshë. Ekspertët e Shëndetit Publik pohojnë se diagnostikimi i depresionit si një çrregullim mendor kërkon shqyrtim të përpiktë profesional. Ekspertët kanë vënë re se çrregullimi i depresionit është nënraportuar për shkak të stigmës të lidhur me këtë gjendje.
Për shkak të këtij kufizimi, rezultatet e anketës 2018 nuk përfaqësojnë matje të saktë të prevalencës së depresionit në Shqipëri, por vetëm një vlerësim të përqindjes së njerëzve që raportojnë se janë ndier në depresion në kohën e intervistës.
Për të bërë një vlerësim rreth depresionit, të anketuarit u pyetën: “A jeni ndier në depresion gjatë dy javëve të fundit? Për të siguruar një tjetër tregues më të veçantë të depresionit, të anketuarit u pyetën nëse ata janë diagnostikuar nga një mjek.
Në këtë rast, prevalenca e raportuar e diagnostikuar mbi depresionin pasqyron një kombinim më të saktë të gjendjes reale të popullatës me depresion.
Nga ana tjetër, 31% e grave dhe 43% e burrave thanë se nuk kanë përjetuar depresion dy javë para studimit, por nuk e përjashtuan të kaluarën. Kur u pyetën nëse kishin kryer vizitë te një mjek profesionist për depresion, 2% e grave dhe 4% e burrave u përgjigjën pozitivisht.
Të dhënat e gjetura nga anketa në raport me diagnozat tregojnë se depresioni është një sëmundje e nëndiagnostikuar në vendin tonë.
Për të dyja gjinitë, depresioni rritet me moshën dhe është më i lartë në zonat rurale dhe më i ulët në kategorinë e personave me arsim të lartë.
Rreth 22% e grave me arsim 8-vjeçar ndiheshin shumë në depresion dhe 9% e tyre janë diagnostikuar me depresion, teksa ndër ato me arsim universitar, këto përmasa ishin shumë më të ulëta.
Gjendja ekonomike është një faktor themelor që çon në depresion. 14% e grave në rangun më të ulët të pasurisë kanë përjetuar depresion për shumë kohë dhe 4% kanë raportuar se janë në depresion gjithë kohës edhe gjatë periudhës së sondazhit.
Në mesin e grave në kategorinë më të lartë të pasurisë, prevalenca e depresionit është më e ulët.
Një tregues i depresionit është dhe rritja e konsumit të barnave qetësuese në vend.
Sipas të dhënave konfidenciale nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave të siguruara më herët nga Monitor, importet e Loram-it, Xanax-it dhe Citolex-it janë rritur ndjeshëm tre vitet e fundit. Për vitin 2016, ato janë 6-17% më të larta sipas llojit të medikamentit.
Më 2016, u zhdoganuan 195,137 pako Loram (2.5 miligramë) nga 167,000 më 2015, me një rritje vjetore 18%. Me ritme dyshifrore (11%) janë rritur edhe importet e Xanax-it dhe rritje 6% edhe ato të Ciltolex-it. Burimet në dogana pohojnë se ritmet e rritjes së importeve të këtyre medikamenteve kanë qenë të larta në dy vitet paraardhëse.