Mijëra efektivë policie në të gjithë vendin do të nisin të marrin sot vaksinën anti COVID. Procesi do të nisë nga Tirana në stadiumin ‘Air Albania’. Lajmi i vaksinimit të policëve u dha dje nga Kryeministri Rama dhe ministrja e Shëndetësisë, Manastirliu gjatë një vizite në Berat. Tashmë ka mbërritur pranë stadiumit kombëtar Manastirlu dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.
500 efektivë policie do të vaksinohen këtë të shtunë në ambientet e stadiumit Air Albania. Janë kryesisht efektivë të Forcave të Rendit dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Përgjatë gjithë periudhës së pandemisë, përveç bluzave të bardha që kanë qenë në vijën e parë të zjarrit, efektivët e policisë kanë qenë grupi tjetër i radhës i rriskut.
Për 13 muaj pandemi si pasojë e COVID-19 kanë humbur jetën 28 punonjës policie, të cilët nuk kanë mundur t’i shpëtojnë virusit të rrezikshëm. Ndërkohë, të infektuar deri më tani në total janë regjistruar më shumë se 2 mijë efektivë.
Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme janë kryer 17.023 vaksinime në të gjithë vendin ndërkohë që nga totali prej 172.486 vaksinimeve të bëra mbi 100 mijë janë gjyshe dhe gjyshër. Po dje nisi edhe procesi i vaksinimit të gazetarëve dhe operatorëve i cili do të vijojë çdo ditë në orën 15:00 në sheshin “Skënderbej”.