“Republika e Shqipërisë në zemër të çështjeve evropiane” me këtë titull media franceze TV5MONDE ka publikuar një intervistë me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama.
Kreu i qeverisë në një lidhje direkte në edicionin e lajmeve të këtij televizioni ka folur për reformat në Shqipëri, por edhe për krizën e emigrantëve që ka prekur Europën. “Shpresoj se me reformën në drejtësi, ne do të jemi në gjendje të paraqesim ofertën tonë serioze për hapjen e negociatave në BE në fund të vitit”, është shprehur kryeministri Rama, duke theksuar se vendi është gati për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian. “Unë mendoj se ne kemi nevojë për një Europë të fortë që është një bashkim i shteteve dhe popujve. Një Evropë e fortë në politikë, në siguri, inteligjencë, shërbimet dhe natyrisht ekonomikisht”, ka thënë Kryeministri në TV5MONDE. Ai shtoi se: “Ballkani duhet të integrohet për më shumë siguri dhe mbrojte të përbashkët” Në lidhje me krizën e emigrantëve ë Evropë, Edi Rama beson se Shqipëria nuk është “prekur drejtpërdrejt, por moralisht apo psikologjikisht. Ne mendojmë se është e tmerrshme ajo që po ndodh në Greqi, e cila u la pothuajse vetëm. Europa nuk ka dhënë një përgjigje evropiane për këtë krizë. “ Kreu i qeverisë shqiptare ka folur edhe për frankofoninë, e cila që në vitin 1991 ka futur gjuhën frënge si gjuhë të dytë në shkolla. “Frankofonia është një burim i shkëlqyer i kulturës dhe shoqërisë sonë. Është një instrument i pazëvendësueshëm për të pasur lidhje me botën”, ka thënë Rama në intervistën për TV5MONDE.