Shqipëria në Panairin e Shtutgartit. Shqipëria për herë të parë është vend partner në Panairin e Shtutgartit, që zhvillohet në 14-22 Janar 2017.
Prezenca qëndrore vizuale e Shqipërisë në këtë panair është e rëndësishme se në Shtutgart marrin pjesë agjencitë turistike më të mëdha botërore për atë që njihet si turizëm “Out Going” ku ministrja Milva Ekonomi ka thënë se është mundësi e mirë për vizibilitet. Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, sëbashku me Agjencinë Kombëtare të Turizmit, kanë nisur përgatitjet për të maksimizuar përfitimet nga ky eveniment i rëndësishëm në turizëm. Në kuadër të këtyre përgatitjeve është organizuar vizita e një grupi prej 11 gazetarësh gjerman, të medias së shkruar dhe televizive, të cilët po shohin nga afër vendin dhe do të raportojnë përmes mediave të tyre gjetjet personale mbi turizmin shqiptar.Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi u takua me këtë grup gazetarësh në Amfiteatrin e Durrësit, nga ku zhvilloi një bashkëbisedim të gjatë duke iu përgjigjur interesit të tyre për turizmin shqiptar. Ministrja Ekonomi tha: “Kjo për turizmin shqiptar do të thotë më shumë vizibilitet në tregun europian ose edhe më gjerë, sepse duke qenë vend partner janë më shumë të fokusuar drejt teje ata që janë tur operatorët ose agjenci që kryesisht merren me outgoing, sipëmarrjet turistike që nxjerrin turistë jashtë vendit të tyre dhe në këtë rast drejt Shqipërisë. Për ne është shumë e rëndësishme që kemi zënë këtë pozicion. Kemi një stendë më të madhe dhe tregojmë më shumë Shqipërinë turistike. Thërrasim më shumë tur operatorë dhe agjenci shqiptare të jenë prezentë në këtë eveniment. Arritja deri këtu, është bërë e mundur falë bashkëpunimit të vazhdueshëm me Messe Shtutgart, por edhe prej angazhimit të gazetarëve gjermanë, të cilët në mënyrë vazhdueshme kanë marrë pjesë në “Fam Tour” në Shqipëri, duke ndikura në rritjen e fluksit të turistëve gjermanë në vendin tonë. Nga ana tjetër, Samiti i Berlinit dhe përpjekjet e bëra nga GIZ në Shqipëri, kanë rritur vëmendjen ndaj turizmit shqiptar. Por, nuk mund të lëmë pa përmendur edhe punën e mirë që ka bërë media ndërkombëtare sepse Shqipëria, përveç shtypit gjerman, kanë qenë qendër të vëmendjes edhe në shtypin anglez, italian, grek, spanjoll, ballkanik, amerikan, francez dhe të gjitha bashkë influencuan që Shqipëria të ishte vend partnet në CMT ”.