Kombëtarja shqiptare ka nisur sot me përgatitjet në tokën gjermane për ndeshjen e parë të Kampionatit Europian ndaj Italisë. Skuadra ka zhvilluar sot dy seanca stërvitor në kampin bazë të Shqipërisë në Kaiserau. Seanca stërvitore e pasdites ishte edhe më e veçanta, pasi ishte e hapur për të gjithë tifozët shqiptarë dhe jo vetëm, për të ndjekur nga afër një seancë të plotë stërvitore të Kombëtares shqiptare. Pavarësisht kushteve atmosferike tifozët shqiptarë ishin të shumtë dhe qëndruan deri në fund për të ndjekur nga afër stërvitjen e kuqezinjve nën urdhrat e stafit teknik dhe trajnerit Sylvinho.
Në këtë seancë të hapur stërvitore ishte i pranishëm edhe Presidenti i FSHF-së Armand Duka dhe kryetarja e Bashkisë së qytetit të Kamen, Elke Kappen. Në përfundim të seancës stërvitore i gjithë ekipi u përshëndet me tifozët, dhanë autografe dhe bënë foto duke përmbyllur një pasdite me atmosferë fantastike në SportCentrum Kaiserau. Ndërkohë skuadra sot ka kryer me sukses dy seancat stërvitore. FSHF bën me dije se të gjithë lojtarët janë në gjendje të mirë dhe janë stërvitur normalisht nën urdhrat e stafit teknik dhe trajnerit Sylvinho.
Ndeshja e parë e Shqipërisë në Kampionatin Europian ndaj Italisë do të luhet të shtunën më datë 15 qershor në orën 21:00, në stadiumin e Dortmundit.