Përhapja e shpejtë e internetit duhet të shoqërohet dhe me masa të forta për të ndaluar grabitjen përmes aplikacioneve online, apo për të ruajtur fëmijët.

Por në Shqipëri mungojnë kapacitetet njerëzore dhe mjetet financiare për të krijuar inteligjencën kibernetike. Për këtë ka nisur të përgatitet një draft ku së pari kërkohet llogaritja e kostove.

Veprimtaria kibernetike ku bëjnë pjesë mashtrimet që lidhen me Internet Banking, vjedhjen e të dhënave phifishing dhe spam janë kthyer në shqetësim kryesor jo vetëm për individët por edhe për vetë qeverisjen.

Në strategjinë kombëtare për të luftuar këtë fenomen theksohet se ka mungesë të mjeteve të nevojshme për të krijuar mjetet dhe burimeve njerëzore për krijimin e inteligjencës kibernetike.

Gjatë vitit 2019 rezulton se rreth 67% e popullsisë dhe rreth 40% e familjeve shqiptare kanë pasur qasje në internet, por problemi kryesor mbeten fëmijët të cilët shihen si shumë të ekspozuar ndaj internetit.

Sipas një anketimi të kryer nga UNICEF Albania, 51% e fëmijëve kanë akses në internet kurdo që ata dëshirojnë dhe 37% e tyre e kanë përdorur internetin nga mosha 8 vjeçare ose dhe më herët.

Shqetësues është fakti se mungesa e informacionit tek prindërit lidhur me rreziqet që paraqet interneti i pasigurt dhe mungesa e kontrollit nga ana e tyre është në nivele të larta.

Sipas këtij studimi përdorimi i internetit nga fëmijët në mënyrë të pakontrolluar është në tregues shumë të lartë dhe kjo problematikë mund të shoqërohet me pasoja të rënda, siç është abuzimi seksual i fëmijëve në internet.

Megjithatë në draftin e hedhur për konsultim nuk parashikohet fondi që do të kërkohet për inteligjencën kibernetike. Por në draft propozohet llogaritja e kostove që do të duhet për këtë nismë.

Pikat që do të ndryshohet nisin nga fuqizimi i mjeteve teknologjike dhe juridike por dhe ngritja e kapaciteteve profesionale, dhe krijimi i mekanizmave për sigurinë e fëmijëve. Rritja e bashkëpunimit kombëtar dhe ndërkombëtar në këtë fushë mbetet po ashtu një sfidë.

Artikulli paraprakINFO PLUS – LORETA TOMAJ
Artikulli tjetërAGIM KAJMAKU NË KËRKIM, GRUAJA FITON TENDERIN E MINISTRISË SË BRENDSHME