Një delegacion i Ministrisë së Brendshme, në përbërje të së cilit ishin zëvendësministrat e Brendshëm Julian Hodaj, Romina Kuko, Rovena Voda dhe Besfort Lamallari, raportoi pranë Komisionit Europian në Nënkomitetin e 11-të për “Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë”, si nënkomiteti që mbulon bazat e 5 prioriteteve, që BE-ja i ka vendosur Shqipërisë në procesin e integrimit.

Çështjet e trajtuara ishin progresi dhe rezultatet e Policisë së Shtetit dhe agjencive ligj zbatuese shqiptare në fushën kundër krimit të organizuar, masat për migracionin e paligjshëm, ecuria e procesit të vettingut në Polici, si dhe plani i masave kundër terrorizmit.

Siç raporton zyra për shtyp e Ministrisë së Brendshme, përfaqësuesit e Komisionit Europian shprehën vlerësim pozitiv dhe përgëzuan rezultatet e arritura nga Shqipëria për vitin 2018 në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, operacionet e zhvilluar kundër krimit të organizuar, si dhe theksuan fort rëndësinë e vazhdimësisë së zbatimit të reformës në drejtësi, si dhe thellimin e luftës kundër krimit të organizuar.

Ky takim raportues mbi ecurinë e përmbushjes së prioriteteve, thekson Ministria e Brendshme, ka rëndësi themelore në vendimin e qershorit, në pritje të hapjes së negociatave.

Artikulli paraprakLAZARATI, I BRAKTISUR NGA GJYSMA E BANORËVE
Artikulli tjetërSHKELJA E PRIVATËSISË, FACEBOOK RREZIKON 5 MILIARDË DOLLARË GJOBË, KA MËNJANË VETËM 3 MLD