Shqipëria ka fituar një vend në Indeksin Global të Lirisë së Shtypit, me gjithë tentativat e qeverisë për të rritur censurën mbi mediet dhe për të kërcënuar pavarësinë e tyre.
Organizata Reporterët pa Kufij vlerëson se në vitin 2021, vendi zbriti nga pozicioni i 84-t në të 83-in, falë përpjekjeve të sektorit mediatik për t’u vetë rregulluar dhe për t’i rezistuar presionit të pushtetit.
“Qeveria rriti trysninë mbi mediet në vitin 2020, duke i kërcënuar përsëri me miratimin e një ligji të ri antishpifje … që do të rriste censurën në një vend ku qeveria tashmë i kufizon gazetarëve qasjen në informacionet shtetërore dhe përdor licensat për të kontrolluar peizazhin mediatik.”
Organizata për mbrojtjen e gazetarëve veçon edhe vështirësitë që kaluan mediet e shkruara dhe ato vizive shqiptare gjatë pandemisë, dhe refuzimin e qeverisë për ta mbështetur sektorin.
Sërish ngrihet shqetësimi për ndërhyrjen e vitit të kaluar në ambientet e radiotelevizionit “Ora”, sikundër javën e kaluar kur “Reporterët pa Kufij” dënuan dhunën e përsëritur të ushtruar nga pushteti ndaj gazetarëve të “Ora”-s.
Nga vendet fqinje, Kosova pësoi një rënie me 8 vende duke u renditur e 78-ta në listën me 180 shtete, ndërsa Maqedonia e Veriut u rrit në pozicionin e 92-të.
Rënie pësuan edhe Greqia e Serbia, ndërsa Europa regjistroi një përkeqësim të konsiderueshëm prej akteve të shtuara të dhunës në Bashkimin Europian dhe në Ballkan.
“Pandemia e koronavirusit u përdor për të bllokuar qasjen e gazetarëve në burimet e informacionit dhe raportimin në terren, plotësisht ose pjesërisht në 73 për qind të vendeve,” thekson organizata me seli në Francë.
Vetëm 7 për qind e 180 vendeve në botë raportojnë një mjedis të kënaqshëm për gazetarinë, kryesisht Europa dhe Amerika.
Listën e udhëheqin tri vendet nordike: Norvegjia, Finlanda, Suedia dhe Danimarka.
Ndërkohë, Kina, Turkmenistani, Koreja e Veriut dhe Eritrea në Afrikë plotësojnë vendet e fundit.