Shqipëria nuk i ka humbur shanset për një kualifikim në kampionatin europian të futbollit. Djemtë kuqezi u rikthyen duke lënë pas atë humbje me Francën duke marrë një fitore të madhe ndaj Islandës. Si rrallë ndonjëherë Shqipëria shënoi 4 gola ndaj islandezëve të cilët edhe pse barazuan dy herë nuk arritën të marrin pikë në “Elbasan Arena”. Djemtë e teknikut Reja zbatuan detyrat ndërsa ndryshimet në formacion dhanë efektin e duhur sepse ekipi ishte kërkues gjatë gjithë lojës. Kjo fitore me Islandën mban ende në lojë
Shqipërinë për një kualifikim të mundshëm në Euro 2020. Shqipëria e nis sfidën mirë, i imponohet Islandës dhe organizon sulme në kuadratin e Halldorson. Por nëse golat nuk vijnë nga kombinimet, “vikingët” do të mposhten në armën e tyre më të fortë: goditjet me kokë. Minuta e 32-të e takimit një harkim perfekt i Memushajt në zonë për Kastriot Dermakun që me kokë ka thyer portierin islandez duke ndezur atmosferën në “Elbasan
Arena”. Por Shqipëria do të kthehet me këmbë në tokë në minutën e 47-të. Një tjetër gafë në mbrojtje rikthen makthet e “Stade de France”. Ismajli nuk largon siç duhet topin dhe mbrojtja reagon keq duke i dhënë mundësi Sigurdsonit të barazojë rezultatin. Një aksion fantastik i kuqezinjve në minutën e 52-të, që kanë kryer kombinime të shpejta me
depërtimin e Elseid Hysajt, që është shfaqur i vetëm përpara Halldorsonit pas asistimit të Manajt, dhe me të majtën ka çuar topin në rrjet duke rikthyer entuziazmin. Pas 6 minutash është Sigthorson që barazon në 2-2 shifrat por Shqipëria nuk dorëzohet. Roshi i futur në pjesën e dytë depërton në zonë dhe goditja e tij me të djathtën përfundon në rrjetë dhe
kuqezinjtë janë për të tretën herë në avantazh. Nuk mbyllet me kaq mbrëmja sepse shijen e golit e provon edhe Cikalleshi pas një aksioni të bukur duke çuar në 4-2 shifrat dhe duke mbajtur gjallë shpresat për një kualifikim në Euro 2020.