Kombëtarja e Shqipërisë U-17 e ka nisur me fitore raundin e dytë të kualifikueseve të kampionatit europian, duke mposhtur Azerbajxhanin në “Elbasan Arena” me rezultatin e thellë 4-1. Protagonisti kryesor i takimit ishte Evangjelos Gjoka, i cili realizoi një tre-golësh, ndërsa sulmuesi shkodran Gabriel Kulla vulosi suksesin e kuqezinjve me golin e tij. Shqipëria e nisi ndeshjen në sulm dhe gjeti rrugën e rrjetës që në minutën e shtatë me Gjokën. Kuqezinjtë dominuan pjesën e parë, duke krijuar disa raste të mira shënimi me Kullën dhe Gjokën, por pa mundur dot të dyfishojnë avantazhin.

Në fillimin e pjesës së dytë, Azerbajxhani barazoi përkohësisht rezultatin. Megjithatë, Shqipëria reagoi shpejt dhe riktheu epërsinë në minutën e 53-të, sërish me Gjokën. Mesfushori vazhdoi paraqitjet e tij të shkëlqyer, duke realizuar edhe golin e tretë personal në mintuën e 64-të. Ndërkohë, në minutën e 76-të, sulmuesi shkodran Gabriel Kulla vulosi fitoren me golin e katërt. Në fund, ndeshja u mbyll me fitoren spektakolare të Shqipërisë me rezultatin 4-1.

Për t’u ndalur tek sulmuesi shkodran Gabriel Kulla, i cili edhe pse vetëm 17-vjeç, është shndërruar në një “makineri golash”. Me instiktet e një bomberi të vërtetë, ai shënoi golin e katërt në këtë triumf të Shqipërisë U-17. Njëkohësisht, dha edhe assistin tek goli i tretë në këtë ndeshje. Për Kullën, ky ishte goli i 12-të në 13-ndeshjet e aktivizuara me Kombëtaren e 17-vjeçarëve. Një ecuri kjo fantastike, që e bën shkodranin Kulla një nga talentet më premtues për të ardhmen e sulmit të Kombëtares. Këtë sezon, Kulla është federuar me ekipin e Sassuolos, me të cilin po luan në kampionatin e Seria A të grupmoshës dhe është një nga shënuesit më të mirë edhe aty.

Artikulli paraprakINCIDENT NË MITINGUN E PS NË LEZHË
Artikulli tjetërTË ARDHURAT BUXHETORE, RRITJE VJETORE 12.5% NË SHKURT, POR SHPENZIMET NË NGËRÇ