ELEMINOHEN DY EKIPET NW EUROPA LEAGUE, LAÇI E FLAMURTARI .
Mbyllet aventura e ekipeve shqiptare këtë edicion në Europë. Pas Skënderbeut edhe Flamurtari me Laçin nuk kanë mundur që të vazhdojnë më tej duke u eliminuar. Flamurtari humbi edhe ndeshjen e kthimit në shtëpi përballë Petrolulit të Rumanisë me rezultatin 1-3 e vlefshme për Europa League.
Kuqezinjtë e nisën mjaft mirë ndeshjen duke kaluar në avantazh në minutën e 37 me Lenën, i cili dërgoi topin në rrjetë me kokë pas një krosimi në zonë. Goli krijoi idenë se në vazhdim Flamurtari do ta kishte më të lehtë për të dyfishuar, por pa kaluar 2 minuta miqtë barazojnë me Tekseirën me një gjuajtje të fuqishme nga jashtë zone duke mposhtur portierin.
Me këtë rezultat mbyllet edhe pjesa e parë, teksa në të dytën Flamurtari tenton me të gjitha mënyrat për të kaluar në avantazh me Muzakën, Lenën, dhe Likën, por fati nuk ishte me kuqezinjtë që nuk tregohen të saktë para portës duke humbur shumë raste për shënim. Atë që nuk e bëjnë vendasit në minutën e 83 e bëjnë miqtë, të cilët shënojnë golin e dytë me De Lucas.
Goli çorienton të besuarit e Gjokës që u rënduan akoma më shumë psikologjikisht duke pësuar edhe golin e tretë me Njongo Priso në minutat shtesë. Flamurtari mbylli raundin e dytë me humbjen 5-1 në total. Edhe Laçi u eliminua nga Europa League pas një tjetër humbje të pësuar në ndeshjen e kthimit në Ukrainë.
Pas disfatës së parë në shtëpi 3-0, Laçi humbi edhe në ndeshjen e kthimit 2-1 duke e dërguar rezultatin ashtu si Flamurtari 5-1. E vetmja gjë që vlen të theksohet për bardhezinjtë në këtë ndeshje është goli i nderit i shënuar nga Nimani që barazoi përkohësisht golin e Nikola Ignjatijevic, por 3 minuta nga fundi Pylyp Budkivsky vulos fitoren e dytë të Zorjas duke kaluar në turin tjetër.