Shqipëria renditet e gjashta ndër vendet me normën më të lartë të vjedhjeve në Europë. Sipas përllogaritjeve të Monitor dhe të dhënave të publikuara nga INSTAT për numrin e vjedhjeve në vitin 2018, për 100 mijë banorë kishte 88 vjedhje.
Numri i veprave penale vjedhje gjatë 2018-s ishin 2519, ku përfshihen: vepra penale të vjedhjeve të banesave me 1218 vepra penal; vjedhje të automjeteve me 252 vepra penale; vjedhje të bizneseve 592 vepra penale; vjedhje gjatë detyrës me 70 vepra penale dhe tentativat e vjedhjeve me 383 vepra penale.
Ndërsa në Bashkimin Europian numrin më të lartë të vjedhjeve për 100 mijë banorë e mban Belgjika ku sipas të dhënave të Eurostat, janë kryer 167 për çdo 100 mijë banorë. Nëse shkoni në Belgjikë të porosisin kudo të mos ia ndani sytë çantës dhe këtë njoftim e gjen dhe në pjesën më të madhe të hoteleve.
Në vend të dytë renditet Franca ku sipas të dhënave të fundit të vlefshme kishte 150 vjedhje për 100 mijë banorë, ndjekur nga Mbretëria e Bashkuar me 132 vjedhje për 100 mijë banorë dhe Portugalia me 115 vjedhje/100 banorë.
Gjatë periudhës 2011 dhe 2017, vjedhjet e regjistruara në BE ra me 24%, nga 522 mijë në 396 mijë vjedhje. Në kontrast. Numri i vjedhjeve shënoi rritje me të paktën 4% për periudhën 2008-2017.
Në Bashkimin europian mesatarja e vjedhjeve për 100 mijë banorë përllogaritet të jetë 51 gjatë 2017-s.
Në Gjermani dhe Holandë, numri i vjedhjeve për 100 mijë banorë ishte 47.
Vendi fqinj, Italia ka të njëjtin nivel vjedhjesh me mesataren e BE-së prej 51. Ndërsa në Greqi numri i tyre është më i ulët, ku sipas Eurostat përllogariten jo më shumë se 40 vjedhje për banorë.
Normat më të ulëta janë renditur në Sllovaki dhe Hungari, me një normë prej 9 vjedhjesh për 100 mijë banorë, ndjekur nga Sllovenia me 12 vjedhje/100 mijë banorë, si dhe Qipro dhe Islanda me 14 vjedhje për 100 mijë banorë./Monitor